Sport

Botërori 2026/ Asllani ngjit Kombëtaren në vendin e dytë, Shqipëria mposht 1-0 Letoninë në Tiranë dhe mban gjallë 'ëndrrën amerikane' (VIDEO)

9 Shtator, 17:06| Përditesimi: 9 Shtator, 22:43

  • Share

FT/ Shqipëri 1-0 Letoni (Asllani 25' (p))

Kupa e Botës, faza kualifikuese Grupi K

Në përditësim...

TIRANË - Këtë të martë në orën 20:45 Kombëtarja zbriti në fushë për përballjen kundër Letonisë. Dueli vlen për Grupin K kualifikues të Kupës së Botës 2026, event që do mbahet verën që vjen në SHBA, Meksikë dhe Kanada. Sfida e sotme është kyçe për tanët, që në gjysmë të rrugëtimit në këtë grup ende i kanë shanset në dorën e vet, kjo pasi dy ekipet e renditura më sipër, Anglia dhe Serbia përballen në Beograd në një ndeshje direkte.

Kuqezinjtë e Sylvinhos janë të ‘dënuar’ për tri pikë, gjë që e theksoi edhe vetë trajneri në konferencën e një dite më parë. Për ta bërë këtë Shqipërisë i duhet të thyej statistikat, pasi në gjashtë takime kundër Letonisë që nga 1992 ka gjashtë barazime në po kaq ndeshje. Barazim 1-1 përfundoi edhe sfida e 10 qershorit të këtij viti për Grupin K kualifikues në Riga.

Komentet më të rëndësishme:

90+3' Mbyllet 1-0 ndeshja.

90+1' Broja i lë vendin Kumbullës.

90' Tre minuta shtesë.

83' Laçi dhe Manaj dalin nga fusha, në vend të tyre Pajaziti dhe Daku.

67' Arbër Hoxha merr vendin e Nedim Bajramit.

56' Gjimshiti humbet rastin e ndeshjes nga pesë metra largësi. Kapiteni kuqezi s'u beson syve.

49' Shqipëria dominon lojën, Bajrami provon nga jashtë zone, sfera kalon ngjitur me shtyllën.

46' Nis pjesa e dytë. Savalnieks merr vendin e Melniks te Letonia. Sylvinho i beson zgjedhjeve të para.

45+2' Mbyllet 1-0 pjesa e parë.

45' Dy minuta shtesë.

44' Jurkovskis rrezikon prapavijën tonë nga pranë portës. Futbollisti mik godet me kokë dhe për fat topi del jashtë.

37' Portieri mik Ziedvis i pasigurt, nuk e kontrollon topin si duhet dhe për pak shkakton autogol.

31' Asllani nga jashtë zone, topi mbi traun e portës.

30' Manaj rrotullohet bukur nga jashtë zone, e majta shkon ngjitur me shtyllën e majtë pingule.

25' GOOL! Aksion i bukur nga Bajrami, i cili pason në zonë për Laçin. Krosimi i këtij të fundit ndalet me dorë në zonë nga mbrojtësi mik dhe penallti për tanët. Kristjan Asllani me qetësi mbosht portierin Ziedvis.

19' Probleme për Kristjan Asllanin, merr ndihmë mjekësore dhe rikthehet në fushë.

9' Hysaj kroson nga e djathta dhe Laçi godet me kokë në zonë, sfera shkon mbi portë.

4' Nedim Bajrami provon nga jashtë zone, topi nuk ka forcën e duhur dhe del jashtë.

1' Nis ndeshja me topin e parë shkelmuar nga miqtë.

Formacionet zyrtare:

Shqipëria (4-3-3): Strakosha; Hysaj, Gjimshiti, Ajeti, Mitaj; Shehu, Asllani, Laçi; Broja, Manaj, N. Bajrami Trajner: Sylvinho

Letonia (5-3-1-1): Zviedris; Jurkovskis, Melniks, Cernomordijs, Balodis, Ciganiks; Varslavans, Vapne, Zelenkovs; Daskevics; Sits Trajner: Paolo Nicolato

Renditja e Grupit K kualifikues

Ora 22:19
VIDEO/ Mbante flamurin e UÇK-së në tribunën VIP, ndërhyn policia në 'Air Albania'

Një tifozi të Kombëtares që mbante flamurin e UÇK-së në tribunën VIP të 'Air Albanias', i është kërkuar nga policia që ta largojë. 'Blutë' e kanë 'konfiskuar' flamurin dhe tifozi është rikthyer në vendin e tij.

Ora 21:43
VIDEO/ Fansat e Letonisë kërkojnë një pikë në Tiranë, s'i ndahen gazetarit të Report Tv gjatë raportimit

Përpara ndeshjes Shqipëri - Letoni, disa tifozë miq kanë qenë në Tiranë duke kërkuar një pikë. Ata thonë se Shqipëria është një vend i bukur, teksa duket se e kanë tepëruar me pijen duke mos iu ndarë gazetarit Ernest Koçi gjatë raportimit.

Ora 21:28
VIDEO/ Penalltia e kthyer në gol nga Kristjan Asllani

Kombëtarja shqiptare kalon në avantazh kundër Letonisë. Në minutën e 25-të Bajrami zhvillon një aksion të bukur dhe pason në zonë për Laçin. Krosimi i këtij të fundit ndalet me dorë në zonë nga mbrojtësi mik dhe penallti për tanët. Kristjan Asllani me qetësi mbosht portierin Ziedvis.

Ora 20:38
VIDEO/ Dënimi i FIFA-s dhe bojkoti i Tifozave Kuq e Zi, kati i parë i zbrazur në 'Air Albania'

Kombëtarja shqiptare e futbollit vuan një dënim për thirrjet raciste të tifozëve në ndeshjen kundër Serbisë. Këtë të martë 20 përqind e stadiumit është e boshatisur, ndërsa si të mos mjaftonte kjo edhe Tifozat Kuq e Zi e kanë bojkotuar këtë sfidë pas përplasjeve me FSHF-në pasi Shqipëria do bashkorganizoj Euro 2027 për U-21 me Serbinë.

Ora 19:43
Letonia mbërrin në 'Air Albania' e shoqëruar nga forcat e policisë

Kombëtarja letoneze ka mbërritur në kohë në stadiumin 'Air Albania', aty ku në orën 20:45 luhet ndeshja Shqipëri - Letoni. Të shoqëruar nga forcat e policisë, ekipi mik tanimë ka dalë në fushë dhe ka parë gjendjen e tapetit të gjelbër ku do zhvillohet sfida.

Ora 19:18
FORMACIONET ZYRTARE/ Sylvinho luan me Brojën dhe Manajn në sulm, Letonia me pesë mbrojtës

Janë zbardhur edhe formacionet zyrtare të sfidës mes Shqipërisë dhe Letonisë, e cila merr jetë sot në orën 20:45 në 'Air Albania' dhe vlen për Grupin K kualifikues të Kupës së Botës 2026. Bie në sy se Sylvinho luan në sulm me Bajramin dhe Brojën nga krahët, në mbështetje të Manajt. Sërish Jasir Asani në stol. Miqtë luajnë me pesë mbrojtës dhe një lojë të tërhequr duke dashur të na rrezikojnë me goditjet standarte.

Shqipëria (4-3-3): Strakosha; Hysaj, Gjimshiti, Ajeti, Mitaj; Shehu, Asllani, Laçi; Broja, Manaj, N. Bajrami Trajner: Sylvinho

Letonia (5-3-1-1): Zviedris; Jurkovskis, Melniks, Cernomordijs, Balodis, Ciganiks; Varslavans, Vapne, Zelenkovs; Daskevics; Sits Trajner: Paolo Nicolato

Ora 19:07
VIDEO/ Tifozët e Kombëtares futen në 'Air Albania'

Prej orës 18:00 ka nisur futja e tifozëve në stadiumin 'Air Albania' në Tiranë. Në orën 20:45 Shqipëria pret Letoninë për sfidën e Grupit K kualifikues të Kupës së Botës 2026. Do jenë 16.500 zemra kuqezi në impiant, me të gjitha biletat që janë shitur.

Ora 18:28
VIDEO/ Gjithçka gati, ja si duket 'Air Albania' para sfidës Shqipëri - Letoni

Stadiumi "Air Albania" në Tiranë duket në kushte perfekte për të pritur duelin mes Shqipërisë dhe Letonisë, sfidë që nis sot në orën 20:45 dhe vlen për Grupin K kualifikues të Kupës së Botës 2026.

 

Ora 17:26
E gjithë Letonia vlen më pak se Armando Broja

Sot në orën 20:45 në 'Air Albania' luhet Shqipëri - Letoni. Sipas ‘Transfermarkt’, vlera e të gjithë futbollistëve të Letonisë për këtë takim kap shifrën e 9.15 milionë eurove, më pak se Armando Broja që vlen 12 mln euro në treg, apo Asllanit që vlen 13 mln euro. Në renditjen e UEFA-s, Letonia mban vendin e 137, ndërsa Shqipëria pozitën e 68-të. 26.2 vjeç është mosha mesatare e Letonisë, kundrejt 27 vjeç për tanët. Shqipëria vlen sot 81 mln euro si ekip.

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Tirona: 09/09/2025 19:48

    Ore ky Sylvinho mos ka naj % te kartoni i Manaj se ska munsi.Po fut mër bq na nji nga Shpendit që ke sulmus, ti shofim i her se kte me shasi të rame ke 5 vjet që e shofim e veç shëtitje i ka bo trrikes në fushë

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Masakra me 2 viktima në Shkodër, sa të sigurt ndiheni?