Kreu i partisë ‘Bindja Demokratike, Astrit Patozi tha se aleanca me Lëvizjen për Zhvillim Kombëtar, të kryesuar nga Dashamir Shehi, ka si qëllim rritjen e përfaqësimit opozitar në Shqipëri dhe nuk përjashtoi mundësinë e një bashkëpunimi me PD-në, nëse dy palët arrijnë të gjejnë një kandidat të përbashkët.
I ftuar në studion e emisionit ‘Kontrast’ me gazetarët Denis Minga dhe Lorenc Vangjeli, Patozi tha se nëse PD arrin arrijë marrëveshje për të pasur një kandidat të përbashkët atëherë, ‘Aleanca Progresiste’ do ta pranonte si kandidat për kryetar bashkie në zgjedhjet e 14 majit.
“Ne duam të rrisim përfaqësimin opozitar të shqiptarëve sepse sot jemi në monizëm në pushtetin lokal. Shqipëria qeveriset nga 61 kryetarë të PS dhe këshilltarë të PS dhe bëjnë ndryshim disa përfaqësues të Bindjes Demokratike. Kjo situatë duhet të përmbyset. Nëse ne kemi të vështirë të arrijmë një sukses të gjithë në përgjithësi, për shkak të PD që është në një luftë vëllavrasëse brenda saj, ne të paktën duhet t’i sjellim një ekuilibër këtij vendi. Dhe që ky ekuilibër të vijë, duhet që secili të bëjë atë që i takon. Opozita duhet të jetë shumëngjyrëshe, sepse PD që mund të shërbente si instrument për të bashkuar opozitën, nuk po bashkon dot veten e saj.
Ne jemi nisur kryesisht në këtë rrugëtim për të rritur përqindjen proporcionale të opozitës ku ne të kemi pjesën që na takon. Por ka ende shpresë që të gjendet një kandidat i përbashkët. Nëse palët do arrijnë një kompromis orët e fundit, ne do ta pranojmë si kandidatin tonë sepse nuk duam të bëhemi shkak që vota e opozitës të përçahet”-tha Patozi.
Sa i takon seancës që do të mbahet në 3 mars në gjykatën e Apelit të Tiranës, ku pritet të vuloset ‘fati’ për drejtimin e PD-së, Patozi tha se 3 marsi nuk është vendimtar sepse konflikti në PD është politik dhe jo juridik. Ai tha se edhe në këtë datë, gjykata nuk do ketë vendim përfundimtar.
“3 marsi nuk është kaq vendimtar sepse marrëdhënia në PD nuk është çështje juridike por politike. Kjo ka të bëjë me interesat e prishura që është vështirë të riparohen. Nuk është më çështje gjykate. Shtoj këtu faktin që këtu e marrin me shumë nge vendimmarrjen sidomos kur bëhet fjalë për partitë politike. Kujtoj këtu që ka 15 seanca të shtuara për Salianjin. Ende nuk do kemi një vendim përfundimtar në 3 mars. Gjykata e Tiranës i ka gjykuar si parti të ndryshme ndërkohë që janë një parti”-shtoi ai.
Ndërsa analisti, Lorenc Vangjeli tha se aleancën mes Bindjes Demokratike dhe Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, e shihte si lëvizje politike dhe jo si zhvendosje të votave nga boshti i opozitës. Ai tha se partia e drejtuar nga Patozi në 2019-tën ishte e vetmja nga opozita që e gjykoi të logjikshmetë bojkotonin zgjedhjet.
“Fitorja e vërtetë kur u prezantua Aleanca Progresiste ka të bëjë me diçka tjetër. 4 vite më parë lëvizja e drejtuar nga Patozi u vu nën akuzë për pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale të 2019-tës. Në demokraci vendos shumica, por jo gjithmonë shumica ka të drejtë.
Në raport me ju, duhet të heshtin. Shpejt do përballeni me kryqëzata nga të dyja palët. E shoh si lëvizje politike dhe jo zhvendosje aritmetike votash. Në 2019-ën ishte vështirë të gjeje dikë që të konsideronte se zgjedhjet ishin detyrë e partive politike dhe të arsyetonte në mënyrë racionale dhe të thonte që tërheqja nga zgjedhje minimalisht quhet dezertim. Në atë grup nuk gjeje askënd që të shikonte drejt së nesërmes dhe të kuptonin se kishin firmosur jo vetëm humbjen e zgjedhjeve por dëmtuan tërësisht sistemin”-tha analisti.
Në 17 shkurt, Astrit Patozi dhe deputeti, Dashamir Shehi zyrtarizuan marrëveshjen mes Bindjes Demokratike dhe Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar për formimin e ‘Aleancës Progresiste’ që do të marrë pjesë në zgjedhjet e 14 majit si një alternativë opozitare.
Shehi e Patozi saktësuan se qëllimi parësor është pasja e një kandidati për kryetarë bashkie, që përfaqëson të gjithë opozitën përballë kandidatit që do garojë përballë kandidatit të Partisë Socialiste, ndërsa paraprakisht koalicioni në thelb ka Këshillat Bashkiak.