ABU DHABI - Piloti i Ferrarit, Carlos Sainz shkaktoi një flamur të kuq të shpejtë në sesionin e dytë të provave të lira në Formula 1 për Çmimin e Madh të Abu Dhabi-t pas një përplasjeje të rëndë në kthesën 2.
Me vetëm nëntë minuta në pistë, Sainz humbi kontrollin e Ferrarit dhe u rrotullua në rrugë duke goditur rëndë në anën e majtë makinën SF-23 me barrierat. Ajo anë e makinës u shkatërrua, megjithëse Sainz mundi të dilte pa ndihmë nga makina.
Carlos Sainz ishte protagonist i pafat në Las Vegas për shkak të një incidenti që i kushtoi edhe një dënim prej dhjetë vendesh, pasi shkatërroi SF-23. Në atë rast dëmi kishte të bënte me shasinë, motorin dhe baterinë: riparime të cilat u paguan shtrenjtë nga Ferrari duke qenë se shkuan mbi një milionë dollarë.
Prandaj, ky skenar mund të lindë sërish këtë fundjavë dhe mund të bëjë që spanjolli të vuajë një dënim të ri. Në orët në vijim sigurisht që do të ketë informacione më të qarta për këtë çështje, por e sigurt është se GP i fundit i vitit nuk nis me këmbën e mbarë për 28-vjeçarin nga Madridi.