MEKSIKË - Ferrari ka fituar Çmimin e Madh të Meksikës në Formula 1. Në cirkuitin e "Vëllezërve Rodriguez" spanjolli Carlos Sainz e mbylli në vendin e parë pas 71 xhirove, aty ku e nisi garën në pole-position. Gara e dytë e fituar nga Sainz këtë sezon, teksa nuk do jetë më pjesë e Ferrarit nga viti që vjen.
Pas tij Lando Norris me McLaren që kaloi Leclerc vetëm tetë xhiro nga fundi. Charles Leclerc (Ferrari) i treti, me monegaskun që një javë më parë fitoi në Austin (SHBA) dhe sheh sërish podin, por këtë herë vendin e tretë.
Më pas dyshja e Mercedes, Hamilton dhe Russell. Max Verstappen me Red Bull në vendin e gjashtë.
Ndërkohë, katër gara nga fundi i sezonit të Formula 1 është sërish Max Verstappen në krye të pilotëve me 362 pikë, ndjekur nga Norris me 315. Për ekipe McLaren prin para Red Bull. Gara e radhës do jetë për Çmimin e Madh të Brazilit fundjavën që vjen.