Austin, Texas (SHBA) - Gara e 19-të e sezonit në Formula 1 dhuroi një paraqitje fantastike në Çmimin e Madh të Austin, aty ku Charles Leclerc i Ferrarit ia doli të fitonte dhe të linte pas shokun e skuadrës Carlos Sainz dhe rivalin e Red Bull, Max Verstappen.
Me Norris në "pole", duhej vetëm kthesa e parë që gara të bëhej "lëmsh", me Leclerc që përfitoi nga dueli Norris-Verstappen dhe mori kreun për të mos e lëshuar as pas 56 xhirove.
Fundi ishte dramatik për kampionin në fuqi të botës, Max Verstappen, që në xhiron e 52 humbi vendin e tretë i parakaluar nga Norris, mes protestave të holandezit. Gjyqtarët i dhanë të drejtë Verstappen dhe penalizuan Norris me pesë sekonda, teksa në fund paçka se e kaloi finishin në vendin e tretë, zbriti poshtë Verstappen.
Garë për t'u harruar nga shtatë herë kampioni i botës, Lewis Hamilton, që nuk mundi ta mbyllë pasi doli jashtë piste shumë shpejt.
Formula 1 do rikthehet fundjavën që vjen me Çmimin e Madh të Meksikës, ndërsa tabelën për pilotë e kryeson Max Verstappen (354 pikë), ndjekur nga Lando Norris (297) dhe Charles Leclerc (275).