JAPONI - Red Bull me Max Verstappen dhe Sergio Perez kanë dominuar garën e Çmimit të Madh të Japonisë në cirkuitin e Suzukës, për garën e katërt të këtij sezoni në Formula 1.
I nisur nga vendi i parë, kampioni i trefishtë i botës dominoi edhe këtë pistë dhe në fund siguroi vendin e parë për herë të tretë këtë sezon. Pas tij shoku i skuadrës, Perez. Ferrari me Carlos Sainz në pozitën e tretë dhe Leclerc i katërti.
Duel interesant te "Kokëkuqja" në këtë duel, me dyshen Sainz - Leclerc që dueluan për podiumin. Garë e mirë edhe për Lando Norris të McLaren, që u pozicionua në vendin e pestë. Pas tij Alonso, Russell dhe Piastri. Hamilton vetëm në vendin e nëntë.
Formula 1 rikthehet më 21 prill me Çmimin e Madh të Kinës, për cirkuitin e Shanghait. Pas katër garave, Verstappen me 77 pikë mban kreun, shkëputur me 13 pikë më shumë se shoku i skuadrës, Perez. Leclerc me 59 dhe Sainz me 55 pikë ndjekin për Ferrarin, me Red Bullin që edhe këtë sezon dominon.