Bllokimi që Greqia i ka bërë Shqipërisë për hapjen e grup-kapitujve të parë negociues për shkak të çështjes Beleri, për ambasadorin belg në Shqipëri Federik Meurice duhet të tejkalohen. Ai tha se Belgjika, e cila prej 1 janarit mban presidencën e radhës së Bashkimit Evropian do të punojë në këtë drejtim, ndërsa përgëzoi Shqipërinë për progresin që ka bërë në rrugën drejt integrimit,
“Shqipëria është një nga vendet që ka bërë progres, kështu që urime për këtë. Problemet me Greqinë duhet të tejkalohen dhe ka mënyra të ndryshme për ta bërë. Presidenca belge, apo edhe presidencat e tjera që do të vijnë do të punojnë dhe ndihmojnë në këtë drejtim. Është një qëndrim i dhënë i BE-së që konfliktet dypalëshe nuk duhet të futen në kontekstin e BE-së”, u shpreh ambasadori belg Federik Meurice.
Në pamundësi për të dhënë një datë apo afat se kur Shqipëria dhe vendet e Ballkanit Perëndimor do të mund të integrohen plotësisht në Bashkimin Evropian, për ambasadorin duhet të mjaftohemi me faktin se integrimi i rajonit është interes strategjik për Brukselin.
“Zgjerimi me vendet e Ballkanit perëndimor është interes strategjik i BE dhe sigurisht ne duam të ecim sa më shpejt, por gjithashtu dimë që procesi i zgjerimit është i bazuar në merita, dhe në çështje që duhet të ketë progres para zgjerimit. Për ne nuk është çështje vitesh, 5 apo 10 vitesh, por kur kur ju jeni gati”, thotë diplomatik belg.
I pyetur për sulmet e vazhdueshme me të cilat SPAK po përballet prej disa politikanëve, ambasadori theksoi mbështetjen e Brukselit dhe të presidencës belge për drejtësinë e re.