Ekspertët e kanë cilësuar të gabuar logjikën mbi të cilën SHBA ka përcaktuar tarifat doganore të miratuara dy ditë më parë për secilin shtet. Trump vendosi një tarifë "reciproke" prej 20% ndaj Bashkimit Evropian. Por si është llogaritur kjo përqindje?
Corriere Della Sera bisedoi me profesorë të universitetit Bocconi në Milano. Tommaso Monacelli shpjegon se formula merr parasysh deficitin tregtar të Shteteve të Bashkuara për vitin 2024 me vendin ndaj të cilit është vendosur tarifa. Deficiti për Bashkimin Evropian ka qenë 235,6 miliardë dollarë, sipas të dhënave të Us Census Bureau. Kjo vlerë është pjesëtuar me totalin e importeve të Shteteve të Bashkuara nga BE-ja, që është 605,8 miliardë dollarë, duke dhënë një rezultat prej 0,39, ose 39%.
Kjo përqindje është pjesëtuar me dy, që është "zbritja" për të cilën flet Trump. Kështu arrihet në 19,5%, që është rrumbullakosur në 20%. Kjo është tarifa e vendosur ndaj të gjitha importeve që vijnë nga Bashkimi Evropian.
"Trump ka akuzuar Bashkimin Evropian për vendosjen e tarifave prej 39%, por është një numër krejtësisht i shpikur. Të mendohet se deficiti tregtar ndaj një vendi është shkaktuar domosdoshmërisht nga barrierat tregtare të vendosura nga ky vend nuk ka asnjë bazë ekonomike,", tha Tommaso Monacelli.
Monacelli thotë se I gjithë parimi i tarifave jo vetëm ndaj BE, është populist.
"Po, i gjithë arsyetimi që qëndron pas luftës tregtare të nisur nga Trump është një operacion populist pas të cilit ka shumë pak logjikë ekonomike dhe shumë propagandë. Prandaj, presidenti amerikan dhe këshilltarët e tij besojnë se nëse Bashkimi Evropian shet më shumë në Shtetet e Bashkuara se sa blen, kjo duhet patjetër të jetë rezultat i ndonjë praktike të padrejtë, që në të vërtetë nuk ekziston”, tha ai.
Deficitet tregtare, ashtu si dhe suficitet, nuk janë domosdoshmërisht as të mira dhe as të këqija, thekson ekonomisti. Tarifat nuk do të ulin sipas deficitin madje ato rrezikojnë të sjellin të kundërtën.
"Politika e tij proteksioniste do të çojë në më shumë inflacion dhe norma më të larta interesi. Kështu, një dollar më i fortë dhe kjo në fund do të rrisë deficitin tregtar’, tha ai.
Nga 15 prilli pritet që BE të propozojë tarifa për hekurin dhe alumin amerikan si kundërpërgjigje, por kjo kohë mund të shërbejë për negociata të cilat mund të çojnë në një marrëveshje, bisedimet për të cilën do të nisin këtë të premte mes zyrave evropiane dhe amerikane të nivelit të lartë.
Komente
