Në intervistën e tij ekskluzive për gazetaren Alba Malltezi te Shqiptarja.com, mes të tjerave Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Fortlumturia e tij Joani, i përgjigjet me një këndvështrim interesant dhe pyetjes për konfliktet e vjetra në Ballkan dhe vështrimin drej të ardhmes. I pyetur për Kosovën, Serbinë, por edhe çështjet e vjetra me Greqinë, si Çamëria dhe ligji i Luftës, ai thotë se “nëse pranohen gabimet, pajtimi mund të vijë më shpejt”, duke e konsideruar historinë e shkuar të rajonit tonë të rëndë. E megjithatë Fortlumturi Joani ka një parashikim vizionar për të ardhmen e popujve të Ballkanit dhe bën apel që “vetën duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin dhe duke krijuar unitet dhe jo uniformitet, mund të zhvillohemi të gjithë së bashku. Ja si shprehet më konkretisht:
Pyetje: Jetojmë në një vend të vogël, të kërcënuar në kohë të kohëve nga asgjësimi, pushtimi, zhdukja. Shohim fqinjët tanë me dyshim, ashtu siç nuk kursejmë edhe njëri-tjetrin. Kemi disa plagë të hapura ende në Kosovë, me Serbinë, Greqinë. Si mund të bashkëjetojmë në Ballkanin tonë sa më në paqë kur disa çështje të rëndësishme si ajo e Çamërisë apo Ligji i Luftës janë ende të hapura?
“Ballkani ka pasur një histori shumë të rëndë, me pushtime të vazhdueshme dhe luftëra të pandërprera. Padyshim që kjo ka krijuar armiqësi ndërmjet popujve të Ballkanit dhe është e kuptueshme që të jemi gjithmonë dyshues, si ndaj fqinjëve, ashtu edhe ndaj njëri-tjetrit. Një armiqësi shekullore nuk kapërcehet lehtë. Egoizmi dhe politikat e nxitura nga nacionalizmi ekstrem kanë krijuar tension të madh ndërmjet popujve. Por, kjo nuk do të thotë që nuk duhet ta ndryshojmë këtë gjendje. Besoj se tani është koha që të gjithë popujt e Ballkanit të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin. Nëse pranohen gabimet që janë bërë gjatë historisë, pajtimi mund të vijë më shpejt. Pajtimi në gjithë Ballkanin do të ndihmonte të gjithë rajonin. Në planin global, Ballkani është një vend i vogël. Popullsia e tij në krahasim me botën është e vogël. Duke qenë të ndarë dhe të copëtuar, të gjithë mund të mbetemi të vegjël, të varfër dhe pa zhvillim të madh. Bashkëpunimi duhet të kërkohet nga të gjithë.
Është detyra e elitave të vendeve të Ballkanit të punojnë për më të mirën, për bashkëpunimin dhe për paqen. Duke qenë në paqe, bashkëpunim dhe mirëkuptim me njëri-tjetrin, ka shumë mundësi që vendet tona të zhvillohen akoma më shumë. Dihet prej kohësh që në konkurrencën globale, edhe për vendet me 50-60 milionë banorë, është tashmë e vështirë. Ne jemi popuj të vegjël në numër, ndonëse me një histori dhe kulturë të pasur. Për ne është e domosdoshme të përpiqemi të krijojmë marrëdhënie shumë të mira me njeri-tjetrin, duke ruajtur identitetit kombëtar, por duke qenë të hapur ndaj botës dhe ndaj kontributeve pozitive. Izolimi dhe mendimi se mund të jemi të vetëmjaftueshëm, në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur, mund të jetë një rrezik i madh për të gjithë ne.
Lutem dhe shpresoj që vendi ynë i shumëvuajtur të ketë paqe e përparim dhe që Perëndia ta bekojë dhe ta ndriçojë!”, thotë mes të tjerave Fortlumturia në intervistën që e lexoni të plotë po te Shqiptarja.com
Komente
