Brian Cox, Abigail Disney dhe Valerie Rockefeller

Forumi ekonomik i Davos, kërkesa e çuditshme e milionerëve drejtuar liderëve botëror: Na taksoni për të ulur pabarazinë

17 Janar, 12:09
  • Share

Më shumë se 250 miliarderë dhe milionerë po i bëjnë thirrje elitës politike të mbledhur në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të vendosë taksa mbi pasurinë për të mbledhur fonde për shërbime publike më të mira në mbarë botën.

“Kërkesa jonë është e thjeshtë: Ne ju kërkojmë të na taksoni ne, më të pasurit në shoqëri. Kjo nuk do të ndryshojë rrënjësisht standardin tonë të jetesës, nuk do t’i privojë fëmijët tanë nga asgjë, ose nuk do të dëmtojë zhvillimin ekonomik të kombeve tona. Por do ta kthejë pasurinë private ekstreme dhe joproduktive në një investim për të ardhmen tonë të përbashkët demokratike", thonë ata në letrën e tyre të hapur drejtuar liderëve botërorë. 

 

Sipas raportimit të tabloidit britanik The Guardian, nënshkruesit e pasur nga 17 vende përfshijnë trashëgimtaren e Disney, Abigail Disney dhe Brian Cox i cili luajti personazhin e miliarderit “Logan Roy” në serialin Succession edhe Valerie Rockefeller, trashëgimtare të dinastisë amerikane.

“Ne jemi njerëzit që përfitojmë më shumë nga status quo-ja ”, theksojnë personat e mësipërm dhe dhjetëra të tjerë në letrën e tyre me titull “Krenar për të paguar” , të cilën do të kërkojnë t’ua dërgojnë sot, të mërkurën, liderëve botërorë që ndodhen në Davos të Zvicrës.

Sipas gazetës britanike, një sondazh i ri mes milionerëve tregoi se 74% mbështesin taksat më të larta mbi pasurinë për të trajtuar krizën e kostos së jetesës dhe për të përmirësuar shërbimet publike. Sondazhi, i kryer nga Survation në emër të Patriotic Millionaires, përfshiu më shumë se 2,300 të anketuar nga vendet e G20, të cilët zotërojnë më shumë se 1 milion dollarë në asete “të investueshme”, duke përjashtuar shtëpitë e tyre dhe për këtë arsye i përkasin 5% më të pasur.

Sondazhi zbuloi se 58% mbështesin vendosjen e një takse mbi pasurinë prej 2% për njerëzit me më shumë se 10 milionë dollarë dhe se 54% besojnë se pasuria ekstreme është një kërcënim për demokracinë.

S.S/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?