Erion Veliaj

Forumi Ekonomik i Tiranës, Veliaj: Industria digjitale është e ardhmja, synimi i qytetit është të kemi 10 mijë kodues në Tiranë

10 Maj 2022, 11:48| Përditesimi: 10 Maj 2022, 13:09

  • Share

Digjitalizimi dhe fokusimi i të rinjve te teknologjia e informacionit ishin pikat në të cilat u ndal sot kryebashkiaku Erion Veliaj, në Forumin Ekonomik të Tiranës. Duke e cilësuar këtë forum si një platformë dialogu mes aktorëve e faktorëve të zhvillimit ekonomik, Veliaj shtoi se falë investimeve në kryeqytet, një rëndësi gjithnjë e më të madhe po merr teknologjia digjitale, e cila po dikton jo vetëm sfidat e së ardhmes, por edhe një revolucion që synon ndarjen njëherë e mirë nga epoka e shërbimeve, drejt industrisë digjitale.

“Në vitet 2000 ne bëmë një tranzicion nga ajo që quhet industria fason, në atë të shërbimeve, kryesisht call-center. Ndërsa sot, ky është momenti për të bërë një tjetër kapërcim, nga call-center në data-center dhe në industrinë digjitale. Në Tiranë sot kemi rreth 4600 mijë kodues. Por, ambicia ime si kryetar i Bashkisë është që në fund të këtij mandati të kemi 10 mijë kodues. Kjo është arsyeja pse i kemi liberalizuar shkollat e inxhinierisë së softuerëve, duke nxitur të vijnë në Tiranë “Hoxton Academy”, “Holberton School”, “Micro Folie”, “TUMO Center”, “Ecole 42” dhe “Factory Berlin”. Ambicia është që 1% e popullsisë sonë të jenë kodues profesionistë sepse kjo është puna e së ardhmes, që mund t’i bësh edhe nga shtëpia, që nuk kërkojnë të largohesh jashtë vendit, por këto janë edhe punët që paguhen më mirë,” u shpreh Veliaj. 

Nisur nga fakti se në Tiranë e gjithë kjo javë është e mbushur me aktivitete në kuadër të Javës së Europës, Veliaj solli në vëmendje se kryeqyteti vërtet e aspiron anëtarësimin në BE, por së pari është me rëndësi që Europën ta krijojmë këtu. 

“Si qytet po përpiqemi që ta ndërtojmë një copë të Europës këtu. Të sigurohemi që në çdo fushë, qoftë në arsim, punësim, shërbimet sociale apo mobilitetit, të jemi sa më europianë, që Europa të mos jetë një destinacion për të shkuar në Bruksel, por një destinacion këtu, mes nesh. Jo vetëm këtu në Tiranë dhe në Shqipëri, por të gjithë bashkë si rajon, mund të jemi një fuqi e jashtëzakonshme. Kurse të ndarë, siç na mëson historia e famshme e Skënderbeut, mund të jemi një ‘thupër’ që thyhet kollaj. Bashkë jemi të pathyeshëm! Nëse e kemi kuptuar këtë mësim nga e kaluara jonë, besoj se jemi gati për të ardhmen tonë,” nënvizoi Veliaj.  

Veliaj foli edhe për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, në kuadër të Ballkanit të Hapur dhe të fqinjësisë së mirë. “Dua që ky Forum të reflektojë pak edhe se çfarë do të thotë fqinjësi e mirë në vitin 2022, në një kohë kur një fqinj i hap luftë një fqinji tjetër. Në Ballkan, fqinjët e kanë mësuar se lufta i dobëson të gjithë, nuk forcon njërin dhe dobëson tjetrin. Kemi mësuar nga gabimet e asaj që ndodhi në Bosnje dhe Kosovë, për t’u kthyer në një rajon më të fortë, që flet për një Ballkan të Hapur, për një treg të ri dhe një treg pune pa kufij”, tha Veliaj. 

Forumi Ekonomik i Tiranës është një takim i nivelit të lartë i liderëve politikë, korporativë dhe intelektualë me ndikim vendas dhe ndërkombëtar, për të adresuar sfidat urgjente me të cilat përballet aktualisht Shqipëria dhe bota.

M.Q./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Gënjen 2400 programatore ka gjithe Shqiperia: 01/08/2022 09:39

    Sipas listes se pagave janar 2021 te dale ka vetem 2400 kodues gjithe Shqiperia... kushedi sa nga keto kane ike ne Gjermani nderkohe.. Mashtrues

    Përgjigju
  • Drini: 10/05/2022 13:04

    Erion Instalacioni beni ndonje aktivitet se bashke me Ramen.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?