Një marrëveshje për të ardhmen e rajonit Euro-Mesdhetar, duke pasur në qendër të saj sigurinë, ekonominë dhe qëndrueshmërinë, do të hartohet shumë shpejt, pas forumit të mbajtur në Tiranë e që shënoi këtë të premte ditën e tij të fundit.
Stefano Sannino, Drejtor i Përgjithshëm për Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore në Komisionin Evropian në Bruksel thotë për “Report TV”, se fakti që ALForum erdhi në një periudhë luftimesh mes Izraelit dhe Palestinës i jep atij një rëndësi edhe më të madhe.
“Fatkeqësisht ky forum u mbajt në kontekstin e një situate të vështirë politike dhe për këtë arsye edhe disa nga pjesëmarrësit nuk mundën të na bashkoheshin, por mendoj se edhe për shkak të kësaj situate ishte akoma më e rëndësishme të kishim këtë lloj takimi, sepse është një forcë që duhet të çojë shoqërinë përpara. Ne duam të ndërmarrim veprime konkrete që të kenë ndikim konkret në shoqëri.”, tha për Report Tv, Stefano Sannino, drejtor i përgjithshëm për MENA në KE.
Sannino shpjegon se për arritjen e këtij objektivi një vëmendje e veçantë iu është kushtuar të rinjve me të cilët ka pasur dhe një dialog interesant gjatë forumit.
“Ishte i rëndësishëm sepse erdhi në një moment specifik, pasi jemi duke përgatitur strategjinë e re për Mesdheun, një pakt të ri, dhe kjo ishte një mundësi që të merrnin dhe pikëpamjen e të rinjve se çfarë duan të shohin në këtë pakt”, tha Sannino
Po ku do të mbështet ky pakt për Mesdheun?
“Mbi këto tre pika: ekonomia, qëndrueshmëria dhe siguria ne do të ndërtojmë paktin për rajonin mesdhetar”, shpjegon ai
Sa i përket ekonomisë, do t’i jepet rëndësi zhvillimit ekonomik të rajonit në sektorë të ndryshëm, si: nga energjia, uji, bujqësia etj. Ndërkohë, për Sanninon është interesante që një aktivitet si ky u mbajt në Shqipëri.
“Tirana është shembull shumë i mirë i fuqisë transformuese të BE-së dhe asaj sesi një vend që vjen nga shumë larg ka arritur në këtë fazë, dhe tashmë ka arritur, shpresojmë, në fazën finale të negociatave për t’iu bashkuar BE-së” tha Sannino.
ALForum u mbajt për tre ditë në Tiranë dhe bëri bashkë 1000 pjesëmarrës, përfshirë përfaqësues të shoqërisë civile, etnitete artistike, liderë të rinj, njerëz të medias, qeveritarë etj. nga 43 vende të botës.
Komente
