Joe Biden me Xi Jinping, 16 nëntor 2024

Forumi i Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor, Biden takohet me presidentin kinez Xi Jinping

17 Nëntor, 16:30| Përditesimi: 17 Nëntor, 16:37

  • Share

Presidenti Joe Biden iu bashkua të shtunën udhëheqësve botërorë që morën pjesë në Forumin e Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor në Lima, Peru. Mandati i tij përfundon në janar.

Si pjesë e turneut të tij përmbyllës, Presidenti Biden u takua me Presidentin kinez Xi Jinping.

Shtetet e Bashkuara dhe Kina janë rivalë në shumë çështje, përfshirë për rolin e tyre në rendin botëror. Presidenti Biden tha se megjithëse nuk janë gjithmonë dakord, ata kanë qenë të sinqertë me njëri-tjetrin.

Kemi qenë të drejtpërdrejtë me njëri-tjetrin. Mendoj se kjo është jetike. Këto biseda parandalojnë llogaritjet e gabuara dhe sigurojnë që konkurrenca mes dy vendeve tona të mos kthehet në konflikt”, tha Presidenti Biden.

Kina dhe Shtetet e Bashkuara duhet të kenë parasysh interesin e gjithë botës dhe të injektojnë më shumë siguri dhe energji pozitive në botën e trazuar”, tha presidenti kinez.

Presidenti Biden e ka quajtur në të kaluarën Presidentin kinez Xi një "diktator", ndërsa zoti Xi i ka akuzuar Shtetet e Bashkuara si "burimi më i madh i kaosit" në botë.

Por, të dy udhëheqësit kanë theksuar rëndësinë e stabilitetit dhe gjatë katër viteve të fundit kanë arritur përgjithësisht ta menaxhojnë rivalitetin e ndërlikuar. Ata ranë dakord të rifillonin komunikimet mes strukturave ushtarake në takimin e nivelit të lartë në vitin 2023, që pasoi takimin e nivelit të lartë të vitit 2022.

Tashmë që amerikanët votuan për rikthimin në pushtet të Presidentit të zgjedhur Donald Trump, Pekini po përgatitet për paparashikueshmëri.

Në mandatin e tij të parë si president, zoti Trump filloi një luftë tregtare me Kinën. Këtë vit, ai kërcënoi se do të vendosë tarifa deri në 60% për të gjitha importet kineze dhe 10 deri në 20% për mallrat nga pjesa tjetër e botës.

Diplomatë që merrnin pjesë në APEC, të cilët folën në kushte anonimiteti, shprehën shqetësimin se Shtetet e Bashkuara mund të bëhen më proteksioniste dhe izolacioniste nën administratën e re të Presidentit të zgjedhur Trump, i cili u tërhoq nga marrëveshjet tregtare dhe të tjera gjatë kohës që ishte në detyrë.

Disa orë përpara takimit me Presidentin Biden, udhëheqësi kinez Xi u paraqit si një mbrojtës i "multilateralizmit dhe një ekonomie të hapur".

Ai e filloi turneun e tij në Amerikën e Jugut duke inauguruar një port të madh në Peru – një investim prej 1.3 miliardë dollarësh nga Pekini që po përpiqet të zgjerojë tregtinë dhe ndikimin në kontinent. Shtetet e Bashkuara thonë se po investojnë më shumë në Peru, rreth 6.6 miliardë dollarë të investuara gjatë vitit 2023.

"Në të gjithë sektorin tonë privat dhe tashmë me mbështetjen e strukturave si Korporata Financiare e Zhvillimit, po investojmë në një gamë të gjerë të teknologjisë, infrastrukturës, energjisë, shëndetësisë dhe projekteve të tjera dhe jemi një lojtar tepër i rëndësishëm", i tha Zërit të Amerikës, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Jake Sullivan, gjatë udhëtimit me avion.

Nga Lima, Presidenti Biden udhëtoi të dielën drejt Rio de Zhaneiros për takimin e nivelit të lartë të G20-ës, me një ndalesë të shkurtër në Amazonën braziliane për të dhënë komente mbi ndryshimin e klimës.

K.M/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?