Ekonomi

Forumi i biznesit/ Sejko: Çdo shqiptar mesatarisht bëri 23 pagesa online vjet, 78% me llogari bankare nga 40% në 2015! Në tetor nis SEPA

20 Mars, 13:06| Përditesimi: 20 Mars, 14:34

  • Share

Çdo shqiptar vitin e kaluar bëri mesatarisht 23 pagesa elektronike, shifër e njëmbëdhjetëfishuar në thuajse 1 dekadë. Sot 78% e qytetarëve posedojnë të paktën një llogari bankare nga 40% që ishte në vitin 2015.

Shifra këto që sipas Bankës së Shqipërisë tregojnë se hovi teknologjik që dikur ishte e ardhmja, sot është realitet i prekshëm.

“Inovacioni nuk është më një luks apo diçka që i përket së ardhmes. Ai është një realitet i domosdoshëm që po revolucionarizon mënyrën se si mendojnë bankat për pagesat, kreditë, investimet dhe më tej. E ardhmja është tani, dhe inovacioni është në qendër të transformimit të shërbimeve financiare në Shqipëri”, tha Sejko.

Në forumin e biznesit me fokus inovacionin dhe ndikimin në sektorin financiar guvernatori Gent Sejko dhe Dhoma Amerikane e Tregtisë këtë ‘normalitet të ri’ në inovacion e konsideruan sa të rëndësishëm, po aq edhe sfidues.

“Ndarja e të dhënave financiare në një shkallë më të gjerë krahasuar me banking-un tradicional patjetër që përtej përfitimeve shoqërohet edhe me rreziqe të mundshme”, u shpreh Gent Sejko.

“Ka mungesë ndërgjegjësimi të lartë, por ne si AMCHAM do të ndikojmë për të informuar anëtarët e dhomës....”, tha Neritan Mullaj, drejtor ekzekutiv i AMCHAM.

Guvernatori tha se në vjeshtën e këtij viti kostot për transfertat do të ulen ndjeshëm, pasi do të nisë zyrtarisht kryerja e veprimeve përmes SEPA-s.

“Institucionet shqiptare pritet të nisin aplikimet pranë EPC-së duke nisur nga muaji prill 2025. Mbetemi besimplotë se qytetarët dhe bizneset shqiptare do të mund të kryejnë transaksione SEPA duke nisur nga muaji tetor”, tha Sejko.

Vetëm në vitin e parë të kryerjes së pagesave/transfertave përmes SEPA, qytetarë e biznese pritet të kursejnë afro 20 milionë euro. Kalimi nga pagesat me lekë në dorë tek ato elektronike është ‘mjet’ i rëndësishëm edhe për të luftuar përdorimin e parë cash në ekonomi, që shpesh favorizon informalitetin dhe pastrimin e parave.

K.T./r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A e keni vendosur se për kë do të votoni më 11 maj?