Forumi në Berlin, kryetarja e AMA, Krasniqi: Jetojmë në kohët kur propaganda, manipulimi i informacionit, dezinformimi kanë arritur një tjetër standard

2 Nëntor 2022, 14:12| Përditesimi: 2 Nëntor 2022, 14:52

  • Share

Në Berlin të Gjermanisë po zhvillohet këto ditë një forum ndërkombëtar në lidhje me zhvillimet aktuale në rang global apo në Ballkanin Perëndimor. Ky forum zhvillohet në kuadër të Procesit të Berlinit dhe pjesëmarrëse nga Shqipëria ishte Armela Krasniqi, kryetare e Autoritetit të Mediave Audiovizive.

Gjatë punimeve, Krasniqi përmendi rastin kur në krye të ATSH-së ndërmori nismën që njihet si Deklarata e Tiranës, që u nënshkrua nga 13 agjenci lajmesh nga Evropa Juglindore dhe më gjerë. Një deklaratë e përbashkët kjo në 2018 për nevojën e koordinimit mes këtyre agjensive për vërtetësinë e lajmeve, që nga pjesëmarrësit e Forumit u përshkrua si “veprim pioner” në luftën kundër çrregullimit informativ. Ajo përmendi dhe trajtimin nga AMA të përmbajtjeve audiovizive të papërshtatshme mbi zhvillimet në Ukrainë, apo për qëndrime antisemite. “Jetojmë në kohët kur propaganda, manipulimi i informacionit, dezinformimi kanë arritur një tjetër standard- me tipare dhe karakteristika specifike, ku kryqëzohen interesa të shumta me natyrë politike, ekonomike, sociale etj.”, tha kryetarja e AMA-s.

Një tjetër panel u fokusua te “agjenda e gjelbërt”, si shkëmbim mendimesh mes ekspertëve, zyrtarëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile, mbi tranzicionin e energjisë dhe siguria e saj në kohë krize, ku u prezantuan dhe një sërë rekomandimesh nga grupi i punës me përfaqësues nga agjenci e institucione prestigjoze. Ndryshimet klimatike dhe zhvillimi i qëndrueshëm mjedisor, ishte një fokus tjetër i diskutimit, ku pati paraqitje dhe nga përfaqësues të qeverisë dhe shoqërisë civile në Shqipëri. Seanca e fundit e ditës së parë të Forumit iu dedikua “Përballjes me të kaluarën dhe përpjekjeve për pajtim në Ballkanin Perëndimor”.

Punimet dyditore të “Civil Society & Think Tank Forum 2022”, po i paraprijnë samitit të liderëve kryesorë politikë që pritet të mbahet këtë të enjte në Berlin.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?