Ministri Igli Hasani në Forumin e Bledit

Politikë

Forumi Strategjik i Bled, ministri Hasani: Anëtarësimi në BE është qëllim kombëtar, po vendosim të rinjtë në qendër të procesit

2 Shtator, 17:48| Përditesimi: 2 Shtator, 17:50

  • Share

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani mori pjesë sot në panelin e organizuar për vendet e Ballkanit Perëndimor në Forumin Strategjik të Bledit në Slloveni, ku bashkë me homologë të rajonit diskutuan rreth temës “Rajoni larg të rinjve: Koha për ndryshim”.

Në fokus të këtij paneli ishte nevoja për fuqizimin e të rinjve në rajon në procesin e integrimit evropian dhe për t’i bërë pjesë aktive të zhvillimit shoqëror, ekonomik dhe demokratik.

Në fjalën e tij, Ministri Hasani nënvizoi se të rinjtë janë motori i së ardhmes së Ballkanit Perëndimor dhe përfshirja e tyre në procesin e integrimit evropian është e pazëvendësueshme.

Ndër të tjera, ai theksoi se Shqipëria po vendos të rinjtë në qendër të procesit të integrimit, përmes nismave që forcojnë rolin e tyre si kontribues aktivë për të ardhmen e përbashkët evropiane të rajonit.

Më herët sot dhe me ftesë të zv/Kryeministres dhe ministres së Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon, ministri Hasani u takua me ministrat e Jashtëm të Ballkanit Perëndimor, të cilët diskutuan rreth integrimit në BE, sigurisë rajonale dhe bashkëpunimit ekonomik.

“Për Shqipërinë, anëtarësimi në BE është një qëllim kombëtar, por dhe një domosdoshmëri për gjithë rajonin. Përmes bashkëpunimit më të ngushtë në kuadër të BE-së dhe NATO-s, mund të sigurojmë një Ballkan Perëndimor më të qëndrueshëm, më të bashkuar dhe me të ardhme evropiane”, është shprehur ministri Hasani.

Përgjatë dy ditëve të pjesëmarrjes në Forumin Strategjik të Bled, Hasani është takuar me homologë dhe partnerë nga bota.

V.GJ /ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Berisha vijon të sulmojë drejtësinë, KLGJ nuk reagon: A ka dy standarde?