Ilir Meta dhe Sali Berisha

'Fosilet' që u rikthyen si ‘shpresë’ për opozitën dhe pranimi i humbjes më 14 maj

14 Nëntor 2022, 19:30| Përditesimi: 14 Nëntor 2022, 19:36

  • Share

Grupimi i drejtuar nga Sali Berisha në PD, në bashkëpunim dhe me Partinë e Lirisë së drejtuar nga Ilir Meta, ia dolën që të nxjerrin në “treg” protestën e paralajmëruar të 12 nëntorit.

Kishte shumë disa muaj që po “gatuhej” me emisarë në çdo skaj të vendit kjo protestë, për të marrë konfermën e pjesëmarrjes së militantëve dhe mbështetësve në këtë tubim, ndihmuar dhe nga paratë e hedhura andej këndej, për t’ua bërë rrugën më të “lehtë” atyre për në Tiranë.

Të gjithë e panë pjesëmarrjen, s’diskutohet se 4 muaj përgatitje do të sillnin në Tiranë 10 mijë vetë, kryesisht nga rrethet, pasi Tirana nuk përbënte as 3 përqind të pjesëmarrësve në protestë.

Ky fakt u evidentua nga vetë zyrat qendrore të dy grupimeve kryesore politike, “Rithemelimit” të Berishës e Partisë së Lirisë së Metës. Të cilët nuk kanë munguar të vënë në “murin” e përgjegjësisë drejtuesit respektivë të partive për bashkinë e Tiranës, për punën e pamjaftueshme për nxjerrjen e mbështetësve të kryeqytetit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Tirana me mbi 1 milionë banorë përbën gati gjysmën e popullsisë së vendit që jeton aktualisht në Shqipëri dhe për pasojë një pjesë e tyre, ata që janë mbi moshën 18 vjeç do votojnë në zgjedhjet për pushtetin vendor më 14 maj të vitit të ardhshëm.

Megjithatë të mbledhësh 10 mijë vetë në një protestë partiake, në një vend ku qeverisja aktuale është në mandatin e saj të tretë ndërsa pushteti vendor është tërësisht në dorën e socialistëve, përjashtuar Shkodrën këtu, nuk është ndonjë pjesëmarrje e madhe. Por nuk është dhe pak, kur mendon, se politika në Shqipëri më shumë se sa në shërbim të qytetarëve ka qënë në shërbim të vetes.

Por efikasiteti i një proteste politike vlerësohet nga mesazhet që përcjell e mbart, si dhe besueshmërinë që “injekton” te publiku, ai i pavendosuri apo siç cilësohet zakonisht, “zona gri” e votuesve. Sepse fundja, një protestë politike votuesve drejtohet, për të thithur vota.

Ajo që pamë në panelin e protestës së opozitës të ditës së shtunë, ishte një “film” i parë për 32 vite me radhë, të njëjtat fytyra, të njëjtat mesazhe, e njëjta gjuhë kërcënuese, të njëjtat premtime, dhe për më tepër e njëjta strategji për të mbushur mendjen e votuesve që të shkojnë në kutitë e votimit dhe të votojnë për opozitën shqiptare.

Pavarësisht se Shqipëria dhe shqiptarët nuk janë as ata të vitit 1990, as ata të vitit 1992, as ata të vitit 1996-1997, as ata të vitit 2000 as ata të vitit 2005, apo 2013 dhe 2017. Janë shumë ndryshe, në mentalitet, interesa, dhe kërkesa. Të gjithë me një “marzh” rritjeje të frikshme, që i bën dhe politikanët më të pacipë që të skuqen ndonjëherë. Aq sa mund të skuqet ‘faqja’ e një politikani, ku dhe sikur të ketë përdorur “kremrat” e gjithë botës, për 32 vite me radhë i është bërë faqja “shollë” dhe nuk dëgjon dhe sikur t’i kërcasë “shpulla” politike çdo katër vite, sa herë që ka zgjedhje parlamentare apo vendore.

Dhe duke mbetur tek protesta e 12 nëntorit e opozitës, gjithçka ishte njëlloj, që nga skenografia e deri tek mesazhet e dhëna, njëlloj si në vitet e para të post-komunizmit. Është normale, pasi janë të njëjtët liderë që realizojnë “skenarin”, Sali Berisha dhe Ilir Meta. Të rikthyer të dy në krye.

Kush e ka dëgjuar me vëmendje Berishën në fjalimin e tij në fund të tubimit të ditës së shtunë kundër qeverisë së Edi Ramës, ka vënë re se mesazhet e dhëna nuk kishin asnjë lidhje me qytetarët, por me hallet personale të lidershipit të “Rithemelimit”. Është halleshumë Berisha.

I njëjti Berishë, si në vitet ’90, me të njejtën gjuhë teksa betohet për luftë kundër komunizmit, ndonëse komunisti i vetëm me sa shohim ka mbetur vetë Sali Berisha. Përdor të njejtin fjalor, “tradhëtor”, “hajdut”, “Shqipëria si gjithë Europa”. Madje deklaron se të rinjtë duhet të marrin shembull nga vetë Berisha i vitit 1990 që rrëzoi komunizmin. Ndonëse e rrëzuan të tjerët!

Pra i ka mbetur “ora’në vitin 1990, kur tashmë të lindurit e atij viti janë 32 vjeçarë dhe po futen tek brezi dytë i shqiptarëve sot. Dhe t’u flasësh për komunizmin këtij brezi është si të evidentosh ngjarje të vitit 1900, pasi ky brez nuk e ka përjetuar atë kohë, fliti sa të duash, është si të bësh eksperimente kimike, në natyrë, jo në laborator, pa preparate, substanca dhe agjentë kimikë. Imagjino sa dëgjohet kjo “trokitje” politike te brezi i parë, 18-20-25 vjeçarët. Lëvizin kanalin.

Për ta aktualizuar më saktë, është si të të shohësh një film bardhezi të vitit 1990, i cili shihet ndonjëherë për kuriozitet në një nga kanalet televizive shqiptare.

Por mbi të gjitha “lektori” numër një që ka marrë stafetën e opozitarizmit në Shqipëri, për të rikthyer shpresën tek opozita, është i njejti njeri, ai i para 32 viteve, vetë Sali Berisha. Vetëm shumë më i plakur, me 79 vite mbi supe, më i “hyrë në ujë” dhe mbi të gjitha njeriu më i vetmuar dhe i izoluar në Shqipëri. I shpallur “non grata” nga SHBA dhe Britania, me motivacionin e përmbledhur që konsiston në korrupsion madhor, minim të demokracisë, shantazhim të drejtësisë e bashkëpunim me njerëzit e krimit e bandat kriminale. Akuza britanike kjo e fundit.

Janë 4 vepra penale këto që ka mbi kurriz, të dënueshme nga të gjitha ligjet e shtetit shqiptar, por që me këtë Prokurori të Posaçme që kemi ne, as për ta thirrur për të dëshmuar nuk e kanë marrë deri më tani. Jo më t’i çojnë dosjet e abuzimit dhe të krimit në Gjykatën e Posaçme për të marrë dënimin për zullumet e shumta apo dhe për të marrë pafajësinë, as që mendohet. Të paktën deri në zgjedhjen e kreut të ri të SPAK, në fund të dhjetorit.

Ka akuza të rënda në kurriz, që nga shpërthimi i Gërdecit, afera e Rrugës së Kombit, vrasjet e 21 janarit 2011, e deri tek afera e CEZ-DIA, privatizimi abuziv i ish klubit “Partizani” e financimi rus i PD për të rrëzuar qeverinë e zgjedhur me votë të Shqipërisë.

Ka dhe akuza të tjera, por që nuk po i përmendim, pasi shqiptarët i dinë të gjitha, sepse Berishën për 32 vite me radhë e kanë pasur para syve, herë në pushtet dhe herë në opozitë, por gjithnjë “strumbullari” i tërë të këqijave që kanë ndodhur në këtë vend pas vitit 1990. Sado që bën sikur ka zbritur tani në planetin Tokë.

Dhe po Berisha, pas 9 viteve i “dorëhequr” nga drejtimi i PD, pasi dëboi Lulzim Bashën nga kreu i kësaj partie, po paraqitet para shqiptarëve si shpresa e vetme për të sjellë opozitën në pushtet. E tha dhe në protestën e ditës së shtunë, e cila ishte njëlloj si të gjitha protestat e tjera të drejtuara zyrtarisht prej tij, apo jozyrtarisht përmes Bashës, kryetarin e deleguar prej tij në krye të PD. Me një “mangësi”, në protestën e së shtunës nuk u këndua himni kombëtar te selia e PD.

Por dhe nuk u sulmuan institucionet me molotov, pasi këtë radhë ishte vetë Berisha përgjegjës për protestën dhe nuk fshihej pas Bashës si herët e tjera. Njëherësh të shtunën por u ndezën dhe qirinj, pikërisht te vendi i krimit të Berishës, me urdhër të tij në fakt u ndezën, në monumentet e 4 demonstruesve të opozitës së PS, që u vranë nga Garda e Republikës më 21 janar 2011.

Vetëm Berisha mund ta shpjegojë nëse ishte një lapsus urdhri i tij për të vendosur qirinj duke deklaruar se “janë viktima të shtetit”, pra të shtetit të tij, apo ishte pasojë e moshës, pasi fundja i vjetër është dhe Covidin e ka kaluar, ka humbje kujtese. Por nuk besojmë se është një shenjë pendese nga vetë Berisha për viktimat që shkaktoi më 21 janar 2011 para kryeministrisë. Megjithatë vetëm Berisha e shpjegon këtë.

Megjithatë Berisha të shtunën ishte i qartë vetëm në një mesazh, atë të humbjes së sigurt në zgjedhjet e 14 majit. E tha hapur, teksa deklaroi se nëse Edi Rama i merr zgjedhjet 14 majit, do destabilizonte vendin. Kuptohet duke mos i njohur ato, me justifikimin e tij të përhershëm, që “ia vodhi qeveria”. Për këtë arsye u bëri thirrje ndërkombëtarëve që të mos e mbështesin kryeministrin socialit.

Pra Berisha me sa duket ka nisur ta bëjë “praktikën” e humbësit që tani, duke dhënë dhe skenarin që do ndjekë pas 14 majit, teksa socialistët do të festojnë fitoren e zgjedhjeve vendore. Si përherë për hir të së vërtetës, kanë fituar pushtetin vendor që nga viti 2007 e në vijim, e nuk përbën asgjë të re humbja e opozitës. Lajm është pranimi nga Berisha se do humbë, 6 muaj para zgjedhjeve.

Përllogaritja e Berishës është e saktë. Jo vetëm që PD është e përçarë dhe e ndarë në dy pjesë, “Rithemelimi” i drejtuar nga vetë ai dhe PD zyrtare e drejtuar nga Enkelejd Alibeaj që do të dalë me kandidatët e vet në zgjedhje pas dështimit të negociatave për bashkim, por Berisha nuk po gjen as kandidatë për primaret. Deri më tani, kur ka përfunduar afati i përcaktuar nga forumet e “Rithemelimit” për të filluar procesi, nga 61 bashkitë e vendit, ka gati për primare vetëm 17 bashki. Mes të cilave Tirana. Pra në gati 70% të bashkive nuk ka asnjë kandidat. Kështu dhe PD e Alibeajt për hir të së vërtetës, megjithëse ai kanë vënë si afat kohor këta të fundit 20 dhjetorin.

E thënë me fjalë të thjeshta tek opozita nuk vjen “era” zgjedhje, pasi s’kanë as kandidatë për të hedhur në primare apo në garën për kryetarë bashkie. Duke shtuar këtu që dhe faktin që Ilir Meta, gjuha e të cilit në protestën e së shtunës ishte e njëjtë si e gjithë viteve të post-komunizmit, nuk do të kandidojë asnjë kandidat për kryetar bashkie. Kështu e ka marrëveshjen me Berishën, vetëm për këshilltarë në të gjithë vendin.

Një opozitë që nuk gjen dot kandidatë për të garuar në zgjedhje, përballë një mazhorance të konsoliduar që e ka gati makinerinë elektorale për të fituar si gjithnjë, është shumë e vështirë të ngjallë shpresë për fitore më 14 maj. Përkundrazi, mund të shënojë një humbje akoma më të thellë, madje dhe krahasuar me ato të Bashës. I cili së paku deri ditën e zgjedhjeve deklaronte se do fitonte. Madje dhe pasi mbylleshin kutitë e votimit në darkë, i bënte një mbyllje duke kënduar himnin kombëtar. Sipas variantit të tij, kuptohet. I qeshur si gjithnjë, pa e prishur terezinë.

Ndërsa për Metën është humbje kohe të flasim. Njësoj si Berisha, bashkë me të cilin kanë dosje të rënda në Prokurori, të paprekura me dorë, por që një ditë do të hapen. Anipse del herë pas here e denoncon “aferat e qeverisë së Ramës”, si një i papunë aktualisht dhe që mbahet financiarisht si familje vetëm me rrogën e deputetes që ka bashkëshortja, ish kryetarja e LSI Monika Kryemadhi, pagë e cila po sipas saj nuk del as për të paguar ujin dhe dritat.

E evidentoi një fakt të tillë pas dorëheqjes së Grida Dumës nga mandatit i deputetes e kalimit në media, teksa po justifikonte qëndrimin e deputetes së PD në fjalë, duke nënvizuar faktin se rroga nuk i del, ka dhe një djalë për të mbajtur. Ndonëse shkakton habi fakti se si i del Kryemadhit e Metës të mbajnë fëmijët në shkolla të shtrenjta në Londër, me një rrogë deputeti. Se “kockat” e asaj vilës në Astir, të ngritur në një truall të dhënë me ligjin 7501 në përdorim, nuk mund të prodhojnë pafundësisht “lëngun” e jetës, përmes “prodhimit” të parave. Shqiptarët e dinë mirë këtë. Ndaj themi se Shqipëria e shqiptarët kanë ndryshuar, s’janë më ata të vitit 1990, apo 2000, po deshët dhe të vitit 2005, që mund të mashtrohen me deklarata të stërnjohura dhe të stërthëna vit pas viti. T’i bëjnë llogaritë me laps në dorë.

Në fund të herës ajo që mund të themi është se “fosilet” politike s’mund të sjellin asnjë shpresë për opozitën në Shqipëri, janë thjeshtë për t’u studiuar dhe për t’u futur në muzeun e “natyrës” politike, e për t’u nxjerrë herë pas here vetëm për qëllime studimore dhe për të treguar se si ka lëvizur politika shqiptare gjatë gjithë viteve. Janë të pariciklueshme.

Vërtetësinë e këtyre konstatimeve që janë mbarëpopullore tashmë mund ta verifikoni shumë shpejt në zgjedhjet e 14 majit të vitit të ardhshëm për pushtetin vendor, apo në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, kur opozita të mos arrijë as në një rezultat dinjitoz, pasi për fitore nuk bëhet fjalë.

Ndërkohë që “dinozaurët” do ikin vetëm kur të ndërhyjë i Madhi Zot dhe t’i marrë në paqen e përjetshme, nëse ka vend ndonjë cep për ta për paqe pasi janë të zhytur në zullume. E sigurtë që vetë nuk do largohen as pas këtyre humbjeve. E kanë justifikimin gati, të prodhuar në “kallëpin” e vjetër të serialit të humbjeve të njëpasnjëshme: “Votat i vodhi apo i bleu Edi Rama, të ngrihemi e ta rrëzojmë”. Ndërsa kryeministri socialist, do vijojë thyerjen e rekordeve në mandate dhe fitore në vendore!

S.C/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?