Pjesa e Lamborghinit që i 'shpëtoi' flakëve

Sport

FOTO/ 'Flakët e ferrit', ja çfarë mbeti nga Lamborghini i djegur me Diogo Jotën e të vëllanë brenda! Trupat u identifikuan nga familjarët dhe testet e ADN-së

4 Korrik, 08:27| Përditesimi: 4 Korrik, 14:48

  • Share

SPANJË - Bota e futbollit është ende e tronditur pas vdekjes tragjike të Diogo Jotës (28 vjeç), sulmuesit të Liverpoolit dhe kombëtares portugeze, i cili humbi jetën së bashku me vëllanë e tij, Andre Silva (25 vjeç), në një aksident fatal (e enjte, 3 korrik) me makinë në Spanjë.

Sot janë publikuar pamje të reja nga vendngjarja, të cilat kanë sjellë më shumë dritë mbi atë që ndodhi në autostradën A-52, në zonën Cernadilla pranë Zamorës, vetëm pak kilometra larg kufirit portugez. Aksidenti ndodhi në një pjesë të izoluar të rrugës, ku makina Lamborghini Huracan Evo Spyder, me të cilën udhëtonin vëllezërit, dyshohet se pësoi një shpërthim të gomës teksa po tentonte të parakalonte një automjet tjetër. Mjeti u përfshi nga flakët, ndërsa 'Marca' bën me dije se u deshën analizat e ADN-së për të konfirmuar identitetin e dy trupave të gjetur në makinë, çka tregon se fundi i vëllezërve ka qenë tragjik mes flakëve.

Sipas medies portugeze 'O Jogo', prindërit dhe gruaja e Diogo Jotës (Rute Cardoso) udhëtuan për në Spanjë, vizituan Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe Shkencave Ligjore në Zamora dhe identifikuan dy trupat përmes sendeve personale.

Pamjet e publikuara nga mediat spanjolle tregojnë mbetje të shpërndara dhe dëmtime të rënda në automjetin luksoz, duke konfirmuar ashpërsinë e aksidentit fatal. Vlera e makinës së aksidentuar ishte mbi 200.000 euro, ndërsa autoritetet po vijojnë hetimet për të përcaktuar nëse ishte Jota apo vëllai i tij ai që ndodhej në timon.

Sipas zyrtarëve lokalë dhe shërbimeve emergjente, të dy vëllezërit ndërruan jetë në vend, pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme. Guvernatori i Zamorës, Ángel Blanco, konfirmoi lajmin e hidhur për mediat.

Diogo Jota (Silva) dhe i vëllai, Andre Silva

Shmangia e fluturimeve, arsyeja e udhëtimit me makinë

Sipas informacioneve nga CNN Portugal, Jota ishte në udhëtim drejt portit të Santanderit, prej nga do të merrte një traget për në Mbretërinë e Bashkuar. Mjekët i kishin rekomanduar të shmangte fluturimet, pasi së fundmi kishte kaluar një operacion në mushkëri.

“Operacioni që iu nënshtrua Jota ishte në mushkëri dhe pas tij mjekët e këshilluan të mos fluturonte. Për këtë arsye, ai po udhëtonte drejt Santanderit për të marrë tragetin që e çonte në Britani, e më pas në Liverpool”, tha Rui Loura, redaktor i sportit në CNN Portugal.

Diogo Jota pritej të bashkohej me ekipin e Liverpoolit për stërvitjet parasezonale, që do të nis të hënën. Tragjedia ndodhi vetëm dy javë pas dasmës së tij me partneren dhe nënën e tre fëmijëve të tyre, Rute Cardoso, më 22 qershor në Porto.

Homazhe dhe dhimbje në botën e sportit

Federata portugeze e futbollit dhe klubi i Liverpoolit kanë shpallur ditë zie dhe pritet të organizojnë homazhe zyrtare në nderim të Jotës në ditët në vijim. Reagimet e kolegëve, tifozëve dhe figurave të njohura të sportit vazhdojnë të mbushin rrjetet sociale, duke shprehur dhimbjen për një humbje kaq të madhe dhe të parakohshme.

Pjesa e Lamborghinit që i 'shpëtoi' flakëve

Ora 14:47
Kryeministri i Portugalisë mbërrin në homazhet e vëllezërve Diogo dhe Andre Silva në qytetin e lindjes

Në Gondomar, vendlindja e Diogo Jotës (Silva) dhe Andre Silva, kryeministri i Portugalisë, Luis Montenegro ka mbërritur në kishën e 'Ngjalljes'. Shtypi është parë të mblidhet në kishë, ku do të zhvillohet ceremonia e homazheve të vëllezërve këtë pasdite.

Kisha ku do mbahen homazhet
Ora 14:03
VIDEO/ Moment prekës në 'Anfield', ish-kapiteni Jordan Henderson i jep lamtumirën Diogo Jotës me lot në sy


Ish-kapiteni i Liverpool në vitet 2021-2023, Jordan Henderson është bashkuar me mijëra fansa të klubit të kuq jashtë mitikut "Anfield"; ku prej mesditës së djeshme janë duke u mbajtur homazhe në nderim të Diogo Jotës.

Sulmuesi i Liverpool dhe vëllai i tij u ndanë nga jeta në një aksident me makinën e tyre, e cila u shkrumbua me ata brenda. Henderson ka qenë bashkëlojtar me Jotën dhe shihet me lot në sy në murin e luleve dhe kujtimeve për Diogon.

Kujtojmë se Liverpool hoqi nga qarkullimi përgjithmonë numrin 20-të, të cilin Jota prej pesë sezonesh e mbante mbi shpinë në fanellën e kuqe.

Ora 12:13
VIDEO/ Të shkatërruara dhe me lot në sy, nëna e Diogo e Andre Silvës dhe bashkëshortja e Jotës pasi identifikuan trupat në morg

Pas aksidentit fatal që i mori jetën dy vëllezërve futbollistë, Diogo dhe Andre Silva, autoritetet spanjolle e kishin të pamundur për të identifikuar dy trupat që u dogjën së bashku me Lamborghinin ku udhëtonin.

Për këtë, në Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe Shkencave Ligjore në Zamora, u kërkua ndihma e familjarëve. Nëna e dy të rinjve dhe bashkëshortja e Diogos udhëtuan me zemër të thyer dhe me një shpresë që u venit, kur identifikuan sendet personale të mbetur pa djegur në makinë.

Ato shihet të dalin të shkatërruara nga morgu, ndërsa lotët ishin gjëja më e paktë që kishin në faqe. Së bashku me to ishte edhe Jorge Mendes, agjenti i futbollistit të Liverpool, Jota.

Qeveria Rajonale e Castile dhe Leon aktivizoi protokollin e mbështetjes psikologjike për të ndihmuar familjet e lojtarëve, siç është zakon në raste të tilla tragjike.

Pasi identifikuan trupat, të afërmit u nisën për në Portugali, ku tani ndodhen eshtrat e Andre dhe Diogos.

Funerali do të mbahet të shtunën në Gondomar (ora 10:00). Ceremonia do të mbahet në Kishën e Zonjës dhe eshtrat do të transferohen më pas në varrezat lokale. Një ditë më parë, të premten (sot) do të mbahet një ceremoni përkujtimore homazhi në kapelën mortore të kishës, duke filluar nga ora 16:00 sipas orës lokale.

Ora 11:55
Orët e fundit të Diogo Jotës me të vëllanë, mjeku: U thashë mirupafshim, e lashë pa dhimbje

Diogo Jota dhe vëllai i tij Andre zgjodhën të udhëtonin natën për të shmangur vapën e madhe. Futbollisti i Liverpool do shkonte në portin e Santander për të udhëtuar me anije drejt Liverpoolit, pasi një operacion i fundit në mushkëri ia bëri të pamundur fluturimet me avion.

Mjeku i Diego Jotës, Miguel Gonçalves kishte qenë duke punuar me sulmuesin vetëm pesë orë para aksidentit fatal, pasi lojtari vuante nga një sëmundje e rrallë e quajtur pneumotoraks (kolaps i mushkërive).

Ai ka treguar se e la në gjendje të mirë, duke hedhur poshtë zërat se ata ishin duke u argëtuar para fundit tragjik në Lamborghinin e shkrumbuar. Sipas mjekut, Diogo ishte një profesionist i madh.

“I thashë mirë u pafshim atij dhe të vëllait, rreth orës 8:30 të mbrëmjes. Andre vendosi të shkonte me të, ta shoqëronte në udhëtim, dhe në këtë mënyrë do të kalonin më shumë kohë së bashku”, tha Gonçalves për gazetën portugeze Record.

“Ata do të udhëtonin natën sepse ishte më freskët, por nuk do të shkonin direkt. Ai më tha se udhëtimi do të zgjaste rreth tetë orë, por do të ndalonin në një hotel në zonën e Burgos për të pushuar.

Diogo ishte shumë i vetëdijshëm për profesionalizmin e tij. Ata duhej të mbërrinin në Santander dje (e enjte), të merrnin tragetin dhe pastaj të shkonin në Angli. Familja do të mbërrinte më vonë me aeroplan dhe më pas, të hënën, do të kishin një takim mjekësor në Liverpool për të vlerësuar situatën”, tha Gonçalves.

Ai shtoi se: “Ishte padyshim një profesionist i pakrahasueshëm. Ai ndoqi gjithçka që i thashë saktësisht, siç mund ta shihnit nga mënyra se si po shërohej. Kur e lashë dje, s’kishte dhimbje dhe duhej të kthehej në Liverpool.”

Ora 10:59
Nga homazhet te funerali, qindra njerëz presin trupat e Diogo e Andre Silva mes lotësh dhe duartrokitjesh në kishën e Gondomar

Gondomar, Portugali - Trupat e futbollistëve portugezë, Diogo e Andre Silva mbërritën mbrëmjen e djeshme në një kishë në Gondomar të Portugalisë, ku u pritën me duartrokitje dhe lot nga qindra qytetarë të pikëlluar.

Homazhet për dy futbollistët do të fillojë sot (4 korrik) në orën 15:00, vetëm një ditë pasi ata humbën jetën në një aksident rrugor. Ceremonia mortore do të zhvillohet në Sao Cosme, gjysmë ore larg me makinë nga qyteti i tij i lindjes, Porto, në Portugalinë veriore, ku vetëm dy javë më parë 28-vjeçari Diogo u martua me të dashurën e tij të fëmijërisë, Rute.

Funerali dhe shërbesa katolike për të përcjellë dy vëllezërit në banesën e fundit do bëhet nesër (e shtunë) në orën 10:00 të mëngjesit.

Ora 10:26
U dogjën në Lamborghinin që u shkrumbua nga flakët, familjarët e Diogo Jotës identifikuan vëllezërit nga sendet personale

Në Lamborghinin mbi 200 mijë euro që u shkrumbua nga flakët, ndodheshin edhe Diogo Jota me të vëllanë, Andre, që pamë vdekjen me sy, të përfshirë nga zjarri.

Sipas medies portugeze “O Jogo”, prindërit dhe gruaja e Diogo Jotës (Rute Cardoso) udhëtuan për në Spanjë, vizituan Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe Shkencave Ligjore në Zamora dhe identifikuan dy trupat përmes sendeve personale.

Gruaja e futbollistit (Diogo), me të cilën ai u martua 12 ditë më parë, i konfirmoi numrin e targës së Lamborghinit autoriteteve. Një test ADN-je për dy viktimat konfirmoi se ata ishin Diogo dhe Andre Silva.

Ora 10:02
U njohën në shkollën e mesme dhe sollën në jetë tre fëmijë, dashuria e Diogo Jotës dhe Rute Cardosos nisi në bibliotekë

Diogo Jota (28 vjeç) dhe vëllai i tij, Andre (25 vjeç), humbën jetën tragjikisht të djegur brenda Lamborghinit jeshil në zonën e Zamorës në Spanjë. Dhimbja dhe trishtimi është i madh në botën e futbollit, teksa funerali i vëllezërve do zhvillohet nesër pranë Portos (Portugali) në orën 10:00.

Jota, sulmuesi i Liverpoolit la pas bashkëshorten moshatare dhe tre fëmijët e tyre të vegjël, më i madhi katër vjeç. Historia e njohjes së Diogo Jotës dhe Rute Cardosos është fiks si në ato përrallat, por pa një fund të lumtur. Goma që i shpërtheu makinës ndërpreu në mes një dashuri të madhe të nisur që në bankat e shkollës.

Rute dhe Diogo u njohën për herë të parë në vitin 2012, pra 13 vite më parë në bibliotekën e shkollës së mesme. Ai, nuk mburrej, interesi për mësimet nuk ishte i madh paçka se merrte nota të mira, edhe pa u ulur të mësonte. Fokusi i tij ishte futbolli dhe Rute e donte që në njohje, pa famën apo pasurinë.

Dy adoleshentët e konsoliduan lidhjen e tyre dhe prej vitesh e kishin bërë publike në kanalet e komunikimit, ku dallohet shpresa dhe forca që merrnin nga njëri-tjetri.

Ajo dinte gjithçka rreth mënyrës se si ai ishte refuzuar fillimisht nga Benfica dhe Porto, duke i shkatërruar besimin që i kishte krijuar skuadra lokale Gondomar Sport Clube, për të cilën ai shënoi 38 gola në një sezon dhe nga orët e tij të pafundme në tarracën e shtëpisë së prindërve të tij, duke thyer vazo me bimë në ndjekje të trukeve të reja, të frymëzuara nga karrierat e babait dhe gjyshit të tij, të dy ish-lojtarë futbolli amatorë.

Ajo kishte aplikuar për diplomë në marketing në Universitetin e Mirandelas, në verilindje të Portugalisë dhe kishte shpresa ta transferonte ofertën e saj për një vend në një strukturë më afër vendit ku do të ishin ata, megjithëse kjo do të duhej të priste. "Është pezull", tha ajo. "Varet nga ajo që do të ndodhë në karrierën e Diogos."

Ajo e ndoqi kudo, përballoi zhgënjimet dhe shijoi suksesin e djaloshit që u bë bashkëshorti dhe së bashku sollën në jetë tre fëmijë. Të enjten e 3 korrikut rreth orës 00:30, një aksident i mori jetën Diogos dhe të vëllait, duke "shkrumbuar" një familje.

Funerali i tyre do të fillojë sot, me homazhet që do të zhvillohen në São Cosme në orën 15:00 dhe funerali do të zhvillohet të shtunën në orën 10:00. Do të mbahet në Igreja Matriz de Gondomar, gjysmë ore larg qytetit të tij të lindjes, Porto, ku dy javë më parë Diogo u martua me të dashurën e fëmijërisë, Rute, në një shërbesë katolike të mbushur me familjarë dhe miq.

Ora 09:18
 'Lamtumirë legjendë', Liverpooli nxjerr nga qarkullimi fanellën me numrin 20-të në nder të Diogo Jotës


Klubi i Liverpoolit ka marrë një vendim historik dhe emocional pas vdekjes tragjike të sulmuesit portugez Diogo Jota. Numri 20 që ai mbante në fanellë në klubin e kuq, do të hiqet nga qarkullimi përgjithmonë si nderim për të.

Lajmi u konfirmua zyrtarisht nga klubi përmes një deklarate prekëse, ku Jota u përshkrua si “jo vetëm një lojtar i jashtëzakonshëm, por edhe një njeri i dashur dhe i respektuar nga të gjithë”.

Gjatë kohës së tij te Liverpool, Jota u bë një nga lojtarët më të dashur të tifozërisë. Ai zhvilloi 182 ndeshje dhe shënoi 65 gola, duke ndihmuar klubin të fitojë titullin e Premier League në sezonin 2024-25 dhe Ligën e Kombeve me kombëtaren portugeze.

Goli i tij i fundit, një goditje kundër Evertonit në prill, tashmë mbetet i përjetësuar si një nga momentet ikonike të karrierës së tij.

Heqja e numrit 20 është një vendim i rrallë në historinë e Liverpoolit, një nder që deri më tani është rezervuar për pak emra legjendarë si Kenny Dalglish. Ky veprim tregon se Jota ishte më shumë se një futbollist, ai ishte një simbol i gëzimit, pasionit dhe shpirtit luftarak.

“Numri 20 do të mbetet përgjithmonë i tij. Ai është pjesë e përjetshme e familjes së Liverpoolit”, thuhet në fund të deklaratës zyrtare.

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Or tej: 04/07/2025 08:39

    Gjynah sepse ishin shume te rinj por po te respektoheshin limitet e shpejtesise me 120km/h mund te ishin akoma gjalle. Shpejtesia e tepruar merr ne qafe veten dhe te tjeret or teeeejjjjj

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si e gjykoni etiketimin në Kuvend të Flamur Nokës ’media vari Kar-lo’?