Këta janë dy vëllezërit e mitur që humbën jetën ditën e djeshme pasi u mbytën në liqenin e Prushit në Tiranë. Vëllezërit Mateo Taku, 14 vjeç dhe Klevis Taku, 10 vjeç, po luanin bashkë me fëmijë të tjerë të zonës me një litar, të cilin e kishin lidhur në një pishë buzë liqenit. Ato kapeshin pas litarit dhe rrëshqitnin për t’u hedhur më pas në liqen.
Kjo lojë është kthyer në tragjedi duke i marrë jetën vëllezërve. Fillimisht ka rënë në liqen 10 vjeçari dhe po mbytej ndërsa vëllai i madh u hodh për ta shpëtuar, por fatkeqësisht të dy u mbytën. Luan Taku, babai i djemve dhe një vajze më të rritur po i rriste fëmijët me shumë sakrificë pasi ishte në gjendje të vështirë ekonomike dhe jetonte duke mbledhur hekurishte.
Trupat e dy fëmijëve të mitur u nxorën nga Polumbarët e RENEA-s, pas pak orësh kërkime, ndërsa tragjedia mund të ishte thelluar edhe më shumë. Një banor i zonës tha se dhe dy fëmijë të tjerë kishin rrezikuar të mbyteshin por ishin shpëtuar nga një banor i zonës. Edhe më parë liqeni i Prushit ishte kthyer në vend tragjedie, pasi një vit më parë ishte mbytur një 15 vjeçar. Janë të shumtë, tha një banor, vendasit që e vizitojnë liqenin gjatë ditëve të nxehta të verës, ndërsa nga autoritetet nuk ka asnjë tabelë paralajmërimi apo rreziku.