Në pedonalen e Shkodrës janë vendosur dhjetëra makina retro, duke zbukuruar kështu shëtitjet e vendasve, por edhe turistëve në kryeqytetin e artit, kulturës dhe humorit shqiptar.
Admiruesit e mjeteve kaliske vizituan nga afër magjinë e më shumë se 50-mjeteve që u përkasin viteve ’60-’70-’80, me targa të personalizuara më të koleksionistëve nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi.
Autokolona e modeleve të veçanta të mjeteve relike ka shtuar kuriozitetin e mjaft shkodranë dhe jo vetëm të cilët po i “analizojnë” nga afër.
Fotot në rrjetet sociale i ndau kryeministri Edi Rama.
“Mjetet Retro në Shkodër. Shijoni këtë ekspozitë unike, bëni foto të paharrueshme dhe përjetoni një udhëtim në kohë me këto mjete të mahnitshme”, shkruan Rama.
Përveç paradës së automjeteve “Retro”, gjatë orëve të mbrëmjes ka aktivitete festive me tingujt e muzikës “Jazz”, që do t’i shtojnë gjallërinë qytetit të Shkodrës.
Festivali “Retro” i zhvilluar në qytete të ndryshme të vendit vitet e fundit ka shfaqur interes të veçantë nga vizitorët vendas dhe të huaj.