GJAKOVË- Ndonëse kryeministri Edi Rama njoftoi mbrëmjen e djeshme (13 qershor) anulimin e mbledhjes së dy qeverive Shqipëri-Kosovë, në Gjakovë vijon të jetë çdo gjë gati.
Në bibliotekën ‘Ibrahim Rugova’ në Gjakovë, vijon të jetë gjithçka gati, asnjë ndryshim nuk është bërë edhe pse mbledhja nuk do të zhvillohet.
Tapeti i kuq, trëndafilat, slogani, madje edhe etiketat e dy krerëve të shteteve janë ende prezent.
Pse u anulua mbledhja:
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka refuzuar një takim më të ngushtë me kryeministrin Edi Rama për të diskutuar për tensionet në veri të Kosovës. Për këtë arsye, qeveria e Shqipërisë ka marrë vendimin që të mos bëhet pjesë e mbledhjes mes dy qeverive që ishte parashikuar të mbahej sot në Gjakovë. Kreu i qeverisë tha se ky nuk është momenti për të krijuar një pasqyrë të rreme, por është koha që Kurti të reflektojë për rrugën që po ndjek në veri që ka sjellë edhe reagim të ashpër nga ndërkombëtarët.
Teksa Rama njoftoi anulimin e mbledhjes, u publikuan edhe sanksionet që Bashkimi Europian ka përgatitur për Kosovën për shkak se Kurti nuk ka reaguar për uljen e tensioneve. Rama tha se ky është një plan shumë i rëndë, por nuk e kishte një përgjigje nëse po shikohet pezullimi i vizave për shqiptarët e Kosovës. Kryeministri tregoi se i ka kërkuar kohë aleatëve ndërkombëtarë që të mos i vendosin sanksionet ndaj Kosovës. Këtë kohë, Rama shpreson që ta shfrytëzojë për t'u ulur në diskutime me Albin Kurtin.