Pak pasi humbi drejtimin e Partisë Demokratike (11 Qershor 2024), Lulzim Basha dorëzoi edhe makinën që ka pronësinë e partisë opozitare.
Në një foto që e disponon edhe "Shqiptarja.com", mjeti “Range Rover” shihet i parkuar në selinë e PD-së, e cila me vendim të Gjykatës së Apelit, i kaloi ish-kryeministrit Sali Berisha. Basha mësohet se e ka dorëzuar makinën sipas procedurave, sapo vendimi gjyqësor hyri në fuqi. Me këtë mjet ai lëvizte prej vitesh, teksa ish-kryeministri Berisha nga ana tjetër ndodhet prej 30 Dhjetorit 2023 në arrest shtëpiak.
Ndërkohë, prej datës 17 Qershor, Basha dhe grupi i tij kanë ndryshuar logon dhe vendosur emrin e partisë së re, duke e quajtur "Demokratët Euroatlantikë", në pritje edhe të rekursit që kanë depozituar në Gjykatën e Lartë, për çështjen e vulës së PD.
Pas vendimit gjyqësor, dukshëm Basha ka dorëzuar edhe mjetin që është i regjistruar në pronësi të selisë blu, një procedurë kjo, standarde juridike dhe inventarizuese që kryhet në këto raste.
Madje në fasadën e godinës, demokratët kanë ngjitur edhe një baner me mbishkrimin “Free Berisha” (lironi Berishën), pasi ish-kryeministri ndodhet në “arrest shtëpie” prej gati tetë muajsh.
Vendimi i Apelit për vulën u dha nga gjyqtarët Alma Ahmeti, Iliba Bezati dhe Elona Toro dhe është i formës së prerë, derisa të shprehet Gjykata e Lartë, pas rekursit të depozituar nga ankuesit.
Konflikti gjyqësor në PD mes Bashës dhe Berishës
Më 25 mars 2022, u mbajt seanca për Kuvendin e 11 Dhjetorit, ku me vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë të gjyqtarit Agron Zhukri, Sali Berisha njihet kryetar i PD. Më 23 mars 2023 rrëzohet vendimi i gjyqtarit Zhukri, Apeli e kthen çështjen në Shkallë të Parë dhe me trupë tjetër. Kryetari i PD-së njihet Lulzim Basha.
Më 27 dhjetor 2023, Gjykata e Lartë e ktheu në Apel me trupë tjetër dhe kërkoi zgjidhje përfundimtare. Kryetari i PD vijoi të ishte Basha. Më 11 qershor 2024, Gjykata e Apelit i ktheu vulën ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili ndodhet në arrest shtëpie.
Sa mire ja paskan bo tash pshtoje shqipnija or teeej.
PërgjigjuKtheu makinën e amortizu e tash ka disa modele të fundit në shtëpi
Përgjigju