Do të festonte dje 79-vjetorin e lindjes, por Rikard Ljarja u nda fizikisht nga jeta 2 vite më parë, në prill kur dhe lindi. Në nder të tij familja ka mbledhur dje miq e kolegë për ta kujtuar.
Kineasti Mevlan Shanaj e ndan këtë moment në rrjetet sociale ku shkruan: “Marjeta sot na ka mbledhur për lindjen tënde! Legjendën e ekranit shqiptar”. Ndërsa ka publikuar një foto ku aktori dukej i gëzuar shton përbri se “kjo buzëqeshje do mbetet kështu e bukur si shpirti yt”.
Ndërsa regjisori e skenaristi Ilir Harxhi ka ndarë disa foto ku shkruan vlerësimet e tij për kolegun: “Marjeta Ljarja na mblodhi për datëlindjen e aktorit unik dhe artistit universal Rikard Ljarja. I përjetshëm do të jetë kujtimi i Tij!”
Në datëlindjen e tij, e ka kujtuar aktorin edhe Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit.
“Në këtë kohë ku jetojmë të rrethuar nga pakënaqësi apo të drejtuar nga egot personale, nuk kemi takuar ende askënd të mos flasë me veneracion për Rikardin, si njeri, si mik, si artist.
Kur përmendet Rikardi, të gjithë ndalojmë një çast dhe për të vërshojnë kujtimet më të bukura dhe virtytet më të larta që mund të përmbledhë një njeri.
Sot mbushen 79 vite nga lindja e tij dhe mund të festonim ndryshe, por jeta është e bukur pikërisht se njerëz si Rikardi jetuan e punuan për t'i dhënë shumë artit, kulturës e shoqërisë sonë”.
Rikard Ljarja, foto nga Arkivi Qendror Shteteror i Filmit
Një dedikim të veçantë për aktorin Ljarja në ditën e tij të lindjes, bën edhe miku i tij, pedagogu e filozofi Përparim Kabo:
“Ti në prill erdhe dhe në prill ike, më 1 prill 1943 i the jetës dhe botës jam dhe unë me emër mbreti Rikard dhe më 20 prill 2020 ike duke i thënë jetës dhe botës, unë isha këtu me ju, mes jush dhe si Ju !
Në datëlindjen tënde nuk ka vend për heshtje Rikard Ljarja, nuk mund të ndodhi për ata që të kishin më të shtrenjtin, familjarët e tu, nuk ka heshtje për miqtë e afërt, kolegët e tu të skenës dhe të ekranit, nuk mund të të harrojnë spektatorët dhe ish studentët e tu....
Unë e dua Rikard Ljarjan sepse ishte artist me shumë kulturë, me një natyrshmëri gati gati jetësore, aq i drejtpërdrejt, dritësor dhe kaq mrekullisht dialogues me kamerën....Ardhja Juaj Rikard në ekranin e madh ishte fat për kinematografinë shqiptare, pa çka se filmat ishin pjesë e një propagande të orkestruar, jeta dhe fatet njerëzore njihen edhe përmes artit në këta sisteme, po kështu historia përmes episodeve apo ndodhive krejt të veçanta...
"Kot e bëtë kaq të madhe Zana, ja që këtu e shoh Trullin. Zbrit Ded zbrit dhe eja po të presim të gjithë, do festojmë bashkë vitin e ri , të kam blerë edhe një dhuratë dhe dua të ta jap...
Kapter Ramiu rimorkiatori....ajo pamja e zbardhëllyer e fytyrës kur kuptove se ishe i mashtruar. Katër karaktere dhe katër artsita... Rikard Ljarja, Ndrek Luca, Reshat Arbana. Bujar Kapexhiu...
Unë e pëlqeva dhe regjinë tënde Rikard, fjala vjen filmi " Në pyjet me borë ka jetë" që është film autor i yti, gjeta shumë sinqeritet, realizëm dhe thjeshtësi njerëzore, vizatimi i figurave, loja dhe zhvillimi ngjarjes kanë shije filmike të fisme...
Rikard Ljarja ishte një bisedues i hapur, i kulturuar dhe tejet i vëmendshëm...spikaste sjellja prej njeriu me vlera...
Eh zëri i tij, kaq i bukur, kumbues dhe i thelle si diell perëndimi që zhytet në det...Arti juaj duhet studiuar,...kështu gjurmët nuk humbasin , ruhet tradita dhe mësojnë ata që vijnë...
Sot është datëlindja jote mik...unë nuk ju harroj !”, shkruan ai.
Artist dhe njeri fantastik..
Përgjigju