Gazetari Ervin Baku është ndër ata të cilët kanë patur shansin e madhe në jetë të takojnë nga afër legjendën braziliane të futbollit Pele, i cili të enjten ndërroi jetë për shkak të kancerit në zorrën e trashë. Në një intervistë për Report TV Baku e përshkruan Pele-n si një njeri shumë pozitiv dhe me vision, pasi jo më kot u vendos për një periudhë si ministër sporti në Brazil.
“Unë falenderoj shumë zotin sepse e kam takuar Pelen disa herë. Ishte shumë I dashur. Takimi ka qenë gjatë shpalljes së tij si fitues nderi i Topit të Artë nga FIFA në Paris . Më thoshte miku im shqiptar. Atë kohë që të kushtonte të fliste në sy, nuk ishte fallso. Është kujtimi më i bukur gjatë karrierës time si gazetar. Ai e la dhe Botërorin të përfundonte se nuk donte ta shqetësonte. Është një trishtim. Kam një merak që nuk e kam parë në fushë, por kam kaluar dhjetra dhe qindra orë duke parë video dhe duke e studiuar. Kot nuk ishte shembull për të tjerët dhe ministër sporti në Brazil,”-tha gazetari Ervin Baku.
Më pas Baku argumentoi se përse figura e Pele-s ishte kaq madhështore.
“Pele i dha kuptim numrit 10. Ai e transformoi futbollin në art. Ferenc Puskas ka thënë ‘futbollisti më i madh i të gjitha kohërave ka qenë Di Stefano, pasi Pele ishte më shumë se kaq. Crujf ka thënë se Pele ka luajtur përtej logjikës. Pele është futbolli. Është mbreti absolut i futbollit. Nuk ka qenë ai mediatizim atëherë siç është sot për Messi-n, Ronaldon, por edhe Maradonën,”-u shpreh Baku.