Ata që sot protestojnë kundër ndërtimit të shkollës së re “Nënë Tereza”, zonën në Kodër Kamëz e planifikuan për të ndërtuar pallate. Në Planin Urbanistik të vitit 2013, në kohën kur Bashkia e Tiranës drejtohej nga Lulzim Basha, e gjithë zona e Kodër Kamzës parashikohej që të mbushej me komplekse pallatesh dhe qendra tregtare.
Në planin urbanistik të Bashës, i cili kishte marrë më parë pëlqimin dhe miratimin nga vetë Jamarbër Malltezi, duke qenë se dhëndri i Sali Berishës ka bërë vlerësimin e ndikimit në mjedis, e gjithë zona e Kodër Kamzës është shënuar me ngjyrë të verdhë, çka në gjuhën e planifikimit urban do të thotë zonë e përzgjedhur për ndërtime me densitet të lartë, që në fakt i hapte rrugën ndërtimit të godinave shumëkatëshe me qëllim tregtar dhe godina banimi.
Në planin Basha-Malltezi, e konkretisht në faqen 422, pika 1 dhe 4, përcaktohej se kategoritë e lejuara të përdorimit të tokës dhe strukturave në të janë me prioritet zhvillimi, e përzier dhe miks, që do të thotë: “Shërbime publike dhe banim. Gjatë hartimit të PDV-ve duhet të ruhet raporti mes kategorive të përdorimit. Zhvillime të strukturave të larta për përdorim banim”, thuhet në plan.
Ndërkaq, me planin e ri urbanistik të Bashkisë së Tiranës, zona në fjalë është vendosur me ngjyrë të kuqe, çka në gjuhën e planifikimit urban e përcakton si zonë për ndërtim arsimor. Pikërisht aty Bashkia e Tiranës ka planifikuar të ndërtojë shkollën “Nënë Tereza” për Kodër-Kamzën, që në fakt përmban në vetvete kopësht, parashkollor, shkollë 9 vjeçare dhe gjimnaz për gjithë banorët e zonës.