Kanë kryer deri më tani mbi 40 vjedhje me dhunë në biznese, markete, servise, ofiçina, banesa e shtëpi në qarkun e Elbasanit, grupi hetimor identifikon 4 'skifterët' që terrorizuan zonën. ReportTv mëson ekskluzivisht se nëpërmjet kamerave të sigurisë hetuesit kanë mundur të identifikojnë 4 të rinj të moshave 20-28 vjeç të cilët të maskuar me një automjet Mercedez Benz 250 me portobagazh herë pa targa dhe herë me targa false kanë kryer këto vjedhje.
Nga dëshmitë e personave të cilët janë kërcënuar me armë gjatë vjedhjeve rezulton se këtyre shtetasve u vihet re në të folur, theksi verior, ndërsa ReportTv siguron fotot ekskluzive nga vjedhja e një marketi të bërë së fundmi nga kjo bandë në qytetin e Librazhdit.
Këta shtetas sipas hetuesve kanë kryer bastisjet në Librazhd, Peqin, Cërrik, Belsh, Shalës, ndërsa foto i përket një prej vjedhjeve me thyerje të kryer mëngjesin e 24 majit 2020, kur ora shënon 1:29 minuta. Pasi kanë vjedhur marketin ata janë larguar dhe në dalje të Elbasanit kanë vendosur më pas në makinë targat false, por pa hequr asnjë moment kapuçat nga koka.
Sipas mekanizmit një person nuk del asnjëherë nga makina dhe qëndron në sediljen e shoferit, ndërsa sendet me vlerë pasi vidhen futen në makinë. Makina me katër të rinjtë sipas hetuesve qarkullon në zonën që do të kryejnë vjedhjet një ose dy ditë më parë, monitorojnë lëvizjet e rrugës ku do të kryejnë vjedhjen dhe godasin zakonisht ndërmjet orës 1:15 minuta deri në 4 të mëngjesit.