“Aromë Budapesti” është ekspozita e fotografit Roland Tasho, e hapur këtë të enjte në ambientet e Bashkisë së Shkodrës. Për autorin Tasho, ky është një rikthim në Shkodrën që e ka surprizuar me zhvillimet pozitive.
“Shoh që është më e pastër dhe më e bukur, megjithëse dje kishe pak shi, por prap duket ndryshimi me shpresë të ndryshojë akomë më tepër. Ka disa fotografi ku janë diplomatë hungarezë të veshur me kostume shqiptare. Janë dhe disa pika takimi si në Budapest, edhe në Tiranë, që kanë lidhje me njëra-tjetrën dhe disa shqiptarë të suksesshëm që punojnë në Budapest.”, - thotë Tasho.
Kryebashkiaku i Shkodrës Benet Beci dhe ambasadorja e Hungarisë, Martina Kasnyik folën për bashkëpunimet nga fusha e kulturës, deri në atë ekonomike.
“Jam i kënaqur që kjo vjen si pjesë e shumë aktiviteteve dhe organizimeve në Shkodër, jo vetëm për artin, por njëkohësisht ne po bashkëpunojmë për turizmin, për kulturën, po bashkëpunojmë për arsimin. E shikoj këtë si një prurje të bukur, moment të rëndësishëm dhe të mirë kulturor.”, - shprehet kryetari Beci.
“Jam e lumtur që jam sot këtu për të hapur këtë ekspozitë, por në asnjë moment nuk mund të harroj hapësirat e tjera të bashkëpunimit me Bashkinë e Shkodrës, ku një nga më kryesoret është në fushën e turizmit, agrikulturës dhe industrisë ushqimore. Ambasada po bën gjithçka është e mundur në rritjen e bashkëpunimit mes bizneseve hungareze me ato të territorit të Bashkisë së Shkodrës.”, - thotë ambasadorja Kasnyik.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur në hollin e Bashkisë së Shkodrës dhe përcjell momente dhe imazhe të kryeqytetit hungarez si dhe të punonjësve të ambasadës hungareze të fotografuar me veshje popullore shqiptare.