Sociale

Kremtim madhështor në Kishën Orthodhokse, Kryepiskopi i Shqipërisë, imzot Joani feston ditën e emrit

26 Shtator, 21:09| Përditesimi: 26 Shtator, 22:15

  • Share

Kryepiskopi i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, imzot Joani feston ditën e emrit. 26 shtatori, dita e jetëndërrimit të Apostullit Joan, është edhe dita e emrit në të cilin festoon Kreypiskopi i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, imzot, Joani.

Në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, u zhvillua Luturgjia Hyjnore me pjesëmarrjen e shumë besimtarëve nga mbarë vendi, dhe jo vetëm. Liturgjia u drejtua nga Kryepiskop Joani, në bashkëmeshim me Hierarkët e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Mitropoliti i Fierit, Hirësi Nikolla, Mitropoliti i Elbasanit, Hirësi Andoni, Mitropoliti i Beratit Hirësi Asti, Mitropoliti i Gjirokastrës, Hirësi Nathanaili, si edhe Mitropoliti i zgjedhur i Korçës, Hirësi Anastasi, dhe klerikë nga të gjitha Mitropolitë.

Pas kremtimit në Katedrale, në Sallën e Pritjeve të Qendrës Sinodike, u zhvillua pritja me rastin e kësaj dite madhështore. Kryepiskopin Joan e uruan përzemërsisht klerikë të shumë, qindra besimtarë, të rinj edhe fëmijë.

Kryepiskopin e uruan edhe pjesëmarrës nga Trupi diplomatik, Deputetë, Akademikë, dhe studiues të fushave të ndryshme, si arti, historia etj. Madhështisë së këtij kremtimi ia bashkuam urimet e përzemërta të primatëve të Kishëve Orthodhoske simotra, Tërëshenjtëria e Tij, Patriarku Ekumenik i Konstandinopojës, Bartholomeu,

Patriarku i Moskës dhe i Gjithë Rusisë, Kirili, Patriarku i Jerusalemit, Theofili III, Shenjtëria e tij, Papa Leoni XIV. Etj.

Fjala e plotë e Kryepeshkopit Joan: 

"Në këtë ditë festimi të shenjtit, apostullit dhe nxënësit të dashur të Zotit, duhet të mendojmë diçka shumë të rëndësishme edhe për ne. Ky apostull i dashurisë predikoi vazhdimisht që të duam njëri-tjetrin. Tregohet, kur ishte shumë i vjetër, një histori që e keni dëgjuar, por shpeshherë ne i përsërisim disa gjëra, sepse janë të rëndësishme. Siç ju kam thënë disa herë, përse Zoti i përsërit kaq shumë në Ungjillin e Shën Joanit fjalët: Doni njëri-tjetrin?

I përsërit vazhdimisht, sepse zemra jonë nuk mund të ndryshojë vetëm se zbutet pak me ujë, po duhet vazhdimisht që të goditet, që zemra jonë të hapet. Dhe kur Shën Joani ishte shumë i vjetër mbi 100 vjeç, filloi mos t'ju mësonte shumë gjëra të tjera nxënësve, po ju thoshte gjithmonë doni njëri-tjetrin. Dhe ju mund ta merrni me mend duke i thënë po këto gjëra një ditë, dy ditë, një javë, dy javë, një muaj, një vit. Dhe një herë Prohori, nxënësi i dashur i thotë, - Mësues, Perëndia të ka zbuluar ty Misteret më të mëdha, ke qëndruar bashkë me Zotin, pse nuk na mëson gjëra të tjera, po na thua vazhdimisht doni njëri-tjetrin?! 
- Edhe shenjti iu përgjigj dhe i tha; - Doni njëri-tjetrin dhe është mjaft! Nëse ne do ta bëjmë realisht këtë gjë, e kemi realizuar gjithë ligjin e gjithë mësimin e Zotit.
 
Po çfarë është ta duam njëri-tjetrin? 
Sot dashuria është shtrëmbëruar pak. Duke përkëdhelur të tjerët nuk i duam, i çojmë akoma në gabim. Unë atë që dua, thotë Zoti, e qortoj. Nëse ne shohim vëllain tonë që po bie në greminë edhe nuk i themi gjë, është dhe faji ynë. Nuk i themi gjë, se s'duam që të prishemi, nuk i themi gjë, se ndoshta ai mund të mendojë keq për ne dhe themi ç’më duhet mua? Kjo nuk është dashuri. 

Dashuria e vërtetë është që të flasësh e mos ta lësh tjetrin të bjerë në greminë. S'ka asnjë dashuri më të madhe sesa Perëndia. E megjithatë Ai thotë, po këto fjalë siç ju thashë pak më parë: Unë atë që dua e qortoj. Prandaj dhe shenjtorët e mëdhenj i qortonin të tjerët; i qortonin që të ktheheshin në rrugën e drejtë. Edhe një prind i devotshëm që e do realisht fëmijën e tij, e qorton. Prandaj dhe proverbat thonë: Kush i kursen qortimin dhe disiplinën fëmijës, e ka prishur fëmijën e tij. Përkëdhelia nuk është dashuri, por shtrembërim i dashurisë. 

Prandaj ditën e sotme pikërisht duhet të meditojmë rreth dashurisë që ka Zoti për ne. Kur gabojmë, na qorton. Na qorton, sepse na do. Nëse ne nuk i qortojmë të tjerët kur bëjnë gabim, nuk i duam ata. Pastaj, njerëzit kanë problemin me pranimin e qortimit. Siç thotë dhe Solomoni i mençur: Qorto një të mençur dhe do kesh një mik, qorto një të marrë dhe do kesh një armik. Sepse i mençuri e kupton që ti e ke qortuar, ngaqë e do. E dashuria e vërtetë është pikërisht kjo gjë: Një dashuri që i afrohet dashurisë së Perëndisë, që i do të gjithë njerëzit, kushdo qofshin ata, madje edhe armiqtë e tij. 
Ju kam treguar njëherë një histori nga Shën Paisi i Madh, po do ta përsëris sot, sepse është shumë e rëndësishme. Një nga nxënësit e tij e mohoi Krishtin dhe u largua. Shën Paisi lutej ditë e natë për të. Pas një viti iu shfaq Krishti dhe i thotë:  - Pais, po lutesh për një nga armiqtë e mi? Ai thotë: - Po, o Zot. 
- Të lumtë, Pais, - thotë - je bërë i ngjashëm me mua. 
Kjo dashuri e vërtetë që do dhe armiqtë, ajo dashuri që qorton edhe mikun e tij kur bën gabim është dashuria që na mëson Perëndia që ne duhet të kemi! Le të mundohemi ta kemi këtë dashuri. Se një njeri që ka në shpirt dashurinë, do të ketë gëzim. Njeriu që ruan inatin, që ka mërira kundër të tjerëve, tek ai nuk është i pranishëm Zoti. Mëri a e shkatërron njeriun, edhe fizikisht edhe shpirtërisht. Dashuria e vërtetë i largon këto gjëra. Ne nuk i duam vetëm njerëzit që janë thjesht të mirë. Duhet t'i duam të gjithë! Zoti na thotë; “Duani dhe armiqtë tuaj”! E nëse do të kemi këtë lloj dashurie, do tëbëhemi të ngjashëm me Perëndinë, sepse njeriu u krijua sipas ikonës së Perëndisë. Këtë e kanë të gjithë njerëzit, po kjo u shtrëmbërua. Po njeriu u krijua edhe me mundësinë për t'u bërë i ngjashëm me Zotin. Në të dytën njeriu i parë ra dhe Zoti erdhi dhe u mishërua dhe u bë si njëri nga ne, për të na hapur përsëri rrugën. Jo vetëm thjesht që të pastrojmë ikonën tonë, por të bëhemi dhe të ngjashëm si Ai, që të kemi dashurinë e Tij. 
Këtë ditë ju uroj të gjithëve gëzuar dhe për shumë vjet këtë festë të madhe të Apostullit të Dashurisë".

K.M/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Qeveria e shkarkoi, a duhet Erion Veliaj ta ankimojë në Kushtetuese?