Një vit më parë, pikërisht më 11 nëntorin e 2023 në Rrogozhinë ndodhte një nga tragjeditë e mëdha të futbollit shqiptar. Në ndeshjen Egnatia - Partizani, kapiteni i vendasve Raphael Dwamena do rrëzohej në fushë gjatë lojës dhe më pas do humbiste jetën në spital.
Ganezi ishte vetëm 28 vjeç dhe kishte fituar zemrën e tifozëve në Shqipëri me performancat e tij, por një atak kardiak i ndërpreu jetën në vitet më të bukura.
Shoku i tij i skuadrës në atë kohë, Alen Sherri tanimë është pjesë e Cagliarit në Serie A. Portieri shkodran debutoi më 9 nëntor në ndeshjen 3-3 kundër Milanit dhe pas sfidës pozoi me një bluzë dedikuar Dwamenas.
Kapiteni "ishte i pranishëm" edhe në Serie A si një homazh për vlerat njerëzore që përcolli në pak muaj që ishte pjesë e Egnatias. "Prehu në paqe kapiten", shkruhet në fanellë.