Kryeministri Edi Rama ka bërë sërish thirrje për të votuar numrin 5 në fletën e votimit më 11 Maj.
Në një foto që ka ndarë në rrjete sociale, të shkrepur një ditë më parë gjatë hapjes së fushatës elektorale në sheshin “Skënderbej”, kryeministri Rama shfaqet përballë kullës që po ndërtohet me profilin e Skënderbeut. Në foto, kryesocialisti shihet duke ‘përshëndetur’ Skënderbeun.
“VOTO 5 që së bashku ta bëjmë Shqipërinë 2030 zonjë të Familjes së Bashkuar Europiane”, shkruan Rama.
Gjatë fjalës që mbajti në shesh, kryeministri përdori referencat historike si Skënderbeu, të cilit iu referua si ‘profeti kombëtar’, ndërsa ftoi shqiptarët në një marshim të fundit drejt tokës së premtuar të Evropës.
“Nuk po ju marr sot për dore për t’ju zhytur në legjenda, po për t’i shkuar pas së bashku me ju në një marshim të fundit drejt Tokës së Premtuar të Europës, profetit tonë kombëtar; për t’u bërë një me fatin europian që ai atje mbi kalë, na e përcaktoi si tonin, e që më pas rilindasit tanë, heronjtë e pavarësisë e të gjitha luftërave të mendimit patriotik shqiptar, na e konfirmuan si amanet përmes një odiseje të pafundme peripecish, kaplimi malesh e detërash; dhe sot na ka zgjedhur ne fati për t’i dhënë shtysën e fundit gurit të pavarësisë, të lirisë e të barazisë para ligjit, duke mos e lënë më të rrokulliset përsëri teposhtë, si guri i Sizifit, por duke e vendosur njëherë e mirë në këndin e ndërtesës europiane; aty ku së bashku do të ngjisim edhe flamurin më të bukur në botë.”, tha Rama.
Komente
