Aeroporti ndërkombëtar i Azerbajxhanit, Fuzuli, u mbush me gazetarë dhe roje sigurie më 27 tetor 2021, kur presidenti Ilham Aliyev, e përuroi hapjen e aeroportit përkrah homologut të vet turk, Recep Tayyip Erdogan.
Prej atëherë, aeroporti i ri ka mbetur kryesisht i zbrazët.
Një vit pas hapjes, Azerbajxhani raportoi se vetëm një aeroplan në javë ateronte në aeroportin 44 milionë dollarësh.
Deri tani në vitin 2024, uebsajtet që i gjurmojnë fluturimet tregojnë se asnjë aeroplan nuk ka ateruar në të. Shtatëdhjetë kilometra në verilindje të Fuzulit u hap një tjetër aeroport i hijshëm ndërkombëtar në afërsi të Zangilanit, në tetor 2022. Ndërsa, në bjeshkët pranë Lachin, aeroporti i tretë është duke u ndërtuar. Aeroportet janë pjesë e shtytjes së madhe ndërtimore në territorin që Azerbajxhanit e rimori nga armenët etnikë, pas luftës së dytë të Karabakut që Bakuja e nisi më 2020, dhe pasi Azerbajxhani e rimori përfundimisht rajonin e shkëputur, Nagorno-Karabak, në shtator 2023. Bakuja i ka cilësuar këto zhvillime si pjesë të “kthimit të madh në territoret e çliruara të Azerbajxhanit” të qindra mijëra azerbajxhanasve, të cilët kishin ikur nga forcat armene gjatë luftës së viteve 1988-94 për Nagorno-Karabakun.
Ekonomisti azerbajxhanas, Toghrul Valiyev, tha për Radion Evropa e Lirë (REL) se numri i madh i projekteve në rajonet e izoluara mund të jetë kryesisht për shkak të degëve të ndryshme të shtetit azerbajxhanas për të fituar lehtësisht fonde.
“Çdo agjenci qeveritare po përpiqet të marrë pjesë në shpërndarjen e fondeve në vlerë miliarda dollarë”, tha Valiyev.
Baku i ndau 3.1 miliardë në vitin 2023 për rindërtimin e zonave që i rimori nën kontroll.
Si shembuj të atyre që ai i përshkruan si ide “kreative” për shpenzime në rajonet e izoluara, Valiyevi thotë: “Ministria e Bujqësisë propozon “një fshat të mençur”, edhe pse ndërtimi i qyteteve dhe fshatrave duhet të kryhet nga institucionet e tjera”.
“AZAL [Linja Ajrore e Azerbajxhanit] rekomandon ndërtimin e aeroportit në Zangilan, edhe pse në njërin drejtim ka aeroporte një orë larg vozitje me veturë dhe dy orë larg vozitje me veturë në drejtimin tjetër”, tha ekonomisti.
Pothuajse e tërë popullsia etnike armene e Nagorno-Karabakut prej rreth 100.000 njerëzve iku në Armeni në shtator 2023, pasi Bakuja e nisi një ofensivë ushtarake, pas të cilës Azerbajxhani e mori nën kontroll këtë rajon të shkëputur.
Nagorno-Karabaku njihet ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhani, por ka qenë e banuar me shekuj të tërë nga armenët etnikë. Hikmet Hajizev, një këshilltare e presidentit Aliyev, tha se armenët etnikë të Nagorno-Karabakut u larguan me vetëdëshirë, duke shtuar: “Ne i hapëm dyert dhe e respektuam lirinë e lëvizjes së tyre dhe lirinë e tyre për të zgjedhur”.
Por, pas disa muajve bllokimi të rajonit para ofensivës ushtarake – dhe disa vrasjeve të dyshuara të armenëve etnikë të cilët ranë në duart e ushtarëve azerbajxhanas – ekspertët ligjorë ndërkombëtarë e cilësuan eksodin si dëbim me forcë, që është krim lufte. Deri në tetor 2023, vetëm rreth 2.000 azerbajxhanas u kthyen në rajonet e zbrazëta. Bakuja thotë se synon t’i zhvendosë atje rreth 150.000 njerëz deri në vitin 2027.
Hulumtuesi amerikano-armen, Simon Maghakyan, i cili e ekspozoi shkatërrimin pothuajse të plotë të trashëgimisë së krishtere të Armenisë nga Azerbajxhani gjatë gërmimit të Naxcivanit, beson se ndërtimi i madh i projekteve mund, në disa raste, të përdoret si “mbulim i gjurmëve të asgjësimit të vazhdueshëm” të disa mijëra zonave historike armene brenda dhe përreth Nagorno-Karabakut.
Në fotot zyrtare të publikuara nga Azerbajxhani, vërehet mungesa e trashëgimisë kulturore armene. Maghakyan, i cili ka hulumtuar gjerësisht imazhet publike të rajoneve të rimarra, thotë se “duket se ka kontroll të rreptë për të hyrë në Nagorno-Karabak, madje edhe për turistë azerbajxhanas apo për ish-banorë”.
Disa anëtarë të mediave të Azerbajxhanit, të cilët i vizituan së fundmi rajonet e rimarra, nuk deshën të komentonin për REL-in për shkak të asaj që njëri prej tyre e përshkroi si “temë shumë të ndjeshme”, pas një vale arrestimesh së gazetarëve në javët e fundit.
Në dhjetor 2021, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) e mori një vendim të përkohshëm që Azerbajxhanit duhet “ta ndëshkojë dhe parandalojë” shkatërrimin e monumenteve armene. Para vendimit të GJND-së më 2021, njërës prej ndërtesave më ikonike të Nagorno-Karabakut, Katedrales Ghazanchetsots, iu shkurtua maja dhe iu shndërrua në një kupolë të stilit bizantin, pasi ishte kapur nga forcat azerbajxhanase.
Prej vendimit të GJND-së, vëzhguesit thonë se Bakuja duket se është duke u vetëpërmbajtur në trajtimin e zonave kulturore, prandaj ka shpresa se trashëgimia e rëndësishme kulturore armene që ka mbetur atje, mund të mbijetojnë, nëse vazhdojnë vëzhgimi satelitore dhe trysnia ndërkombëtare./ REL
Ka lezet rruga automobilistike me korsi të dedikuara ashtu siç duhet,jo si në Albani !..dërgojani Ministrisë së Infrastrukturës e Transportit rrugor,si shembull!
Përgjigju