Momenti pas atentatit, trupi i drejtoreshës në sedilen e bashkë-pilotit në makinë
Ekuador- Vrasësit i dhanë fund jetës së María Daniela Icaza Resabala, e cila ishte drejtoresha përgjegjëse e burgut Guayaquil Litoral, në Ekuador.
Kjo ngjarje ka ndodhur në orën 18:00 të së enjtes në Ekuador, (rreth orës 01:00 të mëngjesit të sotëm, 13 Shtator me orën europiane), në hyrje të Pascuales, pranë burgut.
Vrasja e zyrtares ndodhi kur ajo po lëvizte me një makinë “Chevrolet”, vishnjë, në rrugën për në Daule, kur iu afruan “Sicario”-t për ta vrarë (vrasës me pagesë). Icaza kryesoi Qendrën e Rehabilitimit Social të Meshkujve Nr. 1, kurse motivet dhe autorët mbeten ende të panjohur.
Drejtoresha e IEVP-së Litoral udhëtonte në makinë si bashkë-pilot, kur persona të panjohur e qëlluan disa herë mbi të. Policia Kombëtare përmes rrjeteve të saj sociale ka konfirmuar vdekjen e Icazës pas sulmit të armatosur (në foto momenti i vrasjes).
Maria Icasa Resabala, drejtoresha e vrarë
Pas ngjarjes, Policia njoftoi se po kryhej operacioni për gjetjen e autorëve të vrasjes së zyrtarit.
“Personeli ynë i policisë tashmë është në vendngjarje duke nisur hetimet që do të lejojnë gjetjen e personave përgjegjës”, thuhet në një publikim nga enti.
Pas orës 19:25, Shërbimi Kombëtar i Kujdesit Gjithëpërfshirës ndaj të rriturve të privuar nga liria dhe adoleshentëve kundërvajtës (SNAI), rikonfirmoi vrasjen e Drejtores së IEVP-së.
“Me keqardhje dhe pikëllim të thellë, shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta për vdekjen e María Daniela Icaza Resabala”, thuhet në një ngushëllim.
Në të tregohet se ajo ka përmbushur funksionet e drejtoreshës në krye të CPL Guayas Masculino Nr. 1. Kujtojmë se në këtë institucion të izolimit dhe vuajtjes së dënimit ka edhe shqiptarë, anëtarë të karteleve të ndryshme.
Burgu i Guayaquil dhe bezha e drejtoreshës së vrarë
Vetëm më 3 Shtator pati një tjetër precedent, teksa në rrethana të ngjashme u ekzekutua Álex Guevara, drejtori i burgut Lago Agrio, në provincën amazonike të Sucumbíos. Pista kryesore për atentatin mbetet lufta e brendshme mes klaneve kriminale të burgut më të madh.
Resabala drejtonte një burg me 12 mijë persona të arrestuar dhe dënuar, nga të cilët 6 mijë ishin për krime të rënda. Nga viti 2021 dhe deri në 2023 aty janë regjistruar dhjetëra vrasje mes klaneve kriminale në konflikte për të kontrolluar territorin e brendshëm të burgut dhe drejtuar aktivitete të paligjshme.
Shpesh policisë i është dashur të ndërhyjë për të vendosur rregull. Sipas statistikave, tre vitet e fundit janë regjistruar dhjetëra të vrarë në vit. Kurse statistikat e vendit flasin për rreth 47 të vrarë për 100 mijë banorë. Precedentët e atentateve ndaj drejtorëve të burgjeve kanë qenë në rritje.
Policia ekuadoriane në vendngjarje pas atentatit
Lajmi kryesor:
Vritet drejtoresha e burgut më të madh në Ekuador
A.Q/ReportTv.al