VIDEO+FOTO/ Mijëra majmunë 'pushtojnë' Tajlandën, mbyllen dyqanet dhe bizneset

2 Shkurt, 15:25| Përditesimi: 2 Shkurt, 15:41

  • Share

Mijëra majmunë kanë bastisur një qytet në Tajlandën qendrore, duke detyruar disa dyqane dhe biznese të mbyllen në provincën Lopburi.

Sipas The Sun, një ushtri prej 3500 majmunësh pushtoi qendrën e qytetit, duke i detyruar vendasit dhe turistët të largohen.

Disa vendas u larguan, ndërsa të tjerët u detyruan të mbylleshin në shtëpitë e tyre në një përpjekje të dëshpëruar për t’u mbrojtur.

“Ne jetojmë në një kafaz, por majmunët janë jashtë”, tha një banore.

Fillimisht, vendasit u përpoqën t’i mbanin kafshët larg duke i siguruar ushqim por ky plan dështoi, duke i bërë majmunët edhe më të dhunshëm. Shumë i ushqenin majmunët me ëmbëlsira, dhe ushqime me drithëra dhe sheqerna, të njohura për t’i bërë ata më hiperaktivë dhe seksualisht aktivë.

“Ushqimet me sheqer mund të rrisin produktivitetin e majmunëve dhe të nxisin riprodhimin e tyre”, tha Satipong Kamtaptim, nga Departamenti i Parqeve Kombëtare të vendit.

Dihet se majmunët tashmë kanë aftësinë për t’u riprodhuar dy herë në vit, dhe konsumi i sheqerit rrit këtë tendencë. Sidoqoftë, para pandemisë Covid, majmunët dhe njerëzit jetonin në harmoni në qytet.

Por ky ekuilibër u prish shumë shpejt kur bllokimet ndaluan turizmin, duke bërë që majmunët të kërkonin të dëshpëruar për ushqim.

“Majmunët janë më të uritur dhe më agresivë se më pare. Ata marrin atë që munden. Ata janë mësuar të ushqehen nga turistët. Me largimin e turistëve ata janë bërë më agresivë, duke luftuar për të mbijetuar. Ata pushtojnë ndërtesat dhe i detyrojnë vendasit të largohen nga shtëpitë e tyre. Tani majmunët janë kudo. Ata ulen në çati, gati për pritë, trazira në rrugë e madje grabisin makinat që kalojnë”, tha Supakarn Kaevchot, një veteriner.

Departamentit të Parqeve Kombëtare të Tajlandës i është dashur të nisë një program sterilizimi me shpresën se do të jetë në gjendje të ndalojë shumimin e tyre.

 

S.S//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?