Emmanuel Macron

Bota

Franca dyfishon shpenzimet ushtarake, Macron: Liria e Evropës përballet me kërcënimin më të madh që nga Lufta e Dytë Botërore

14 Korrik, 13:24| Përditesimi: 14 Korrik, 13:30

  • Share

“Kurrë, që nga viti 1945, liria jonë nuk ka qenë e kërcënuar deri në këtë pikë.” Në kopshtet e Ministrisë së Mbrojtjes, në Hôtel de Brienne, Emmanuel Macron mbajti dje fjalimin tradicional drejtuar forcave të armatosura, në prag të festës kombëtare të 14 Korrikut. Kreu i shtetit francez e shfrytëzoi këtë moment solemn për të dhënë alarmin. Europa, tha udhëheqësi francez, duhet të marrë përgjegjësitë e veta: “Duhet ta garantojmë vetë sigurinë tonë.”


“Dividentët e paqes kanë marrë fund,” shtoi Macron, duke shpallur një angazhim të paprecedentë ushtarak të Francës. “Buxheti i mbrojtjes do të dyfishohet deri në vitin 2027.”

Ligji për programimin ushtarak, që tashmë parashikon një rritje, do të përditësohet në vjeshtë për të përfshirë 3.5 miliardë euro shtesë në vitin 2026 dhe edhe 3 miliardë të tjerë në 2027. Në total, bëhet fjalë për 64 miliardë euro në vit, dyfishi krahasuar me vitin 2017 kur Macron erdhi në Elize. “Kjo përpjekje nuk do të financohet përmes borxhit,” saktësoi ai, ndërsa qeveria po përgatitet për një shtrëngim të vështirë të financave publike.

Franca po përgatitet për një kërcim cilësor në vizionin e saj strategjik, duke mos përjashtuar më në afat të mesëm një “përballje të drejtpërdrejtë” në “një luftë me intensitet të lartë.” “Me pushtimin e Ukrainës, lufta ka mbërritur në territorin tonë,” theksoi Macron. “Ne europianët duhet ta garantojmë tashmë vetë sigurinë tonë, lirinë e modelit tonë politik dhe demokratik, duke e mbrojtur atë nga forcat errësuese.” “Për të qenë të lirë në këtë botë, duhet të jesh i frikshëm, dhe për të qenë i frikshëm, duhet të jesh i fuqishëm,” vijoi ai.

Macron kujtoi forcimin e bashkëpunimeve strategjike me Mbretërinë e Bashkuar, si pakti për sa i përket frenimit bërthamor dhe “koalicioni i të gatshmëve,” i krijuar me nismë franko-britanike për të mbështetur Kievin, me rreth tridhjetë vende. Një sinjal i fortë, drejtuar Moskës, por edhe Uashingtonit, në një moment kur Europa druhet nga një tërheqje e SHBA-së.

Rusia është tashmë e identifikuar si një kërcënim “i rëndë dhe i përhershëm.” Macron nuk e përmend gjithmonë me emër, por objektivi është i qartë, dhe Elizeja ka përgatitur terrenin. Të premten, gjenerali Thierry Burkhard, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, foli publikisht – një rast i rrallë – dhe përmendi mundësinë që Moska të rikrijojë forcat e saj ushtarake deri në vitin 2030 për të shpërthyer konflikte të reja.

Kreu i Shtabit të Përgjithshëm foli për “ndryshime radikale në referencat strategjike” për ushtrinë franceze, që nga tërheqja amerikane, te kërcënimi hibrid dhe kibernetik, duke kaluar përmes terrorizmit islamik, që “mbetet një rrezik real edhe dhjetë vjet pas atentateve në Paris.” Vetëm pak ditë më parë, edhe kreu i shërbimeve franceze kishte ngritur alarmin.

Përpjekja e kërkuar për mbrojtjen hyn në tension me kufizimet buxhetore. Kryeministri François Bayrou, që nesër do të paraqesë në Parlament drejtimet kryesore të buxhetit për vitin 2026, përballet me një votim në vjeshtë që mund të përfundojë me një mocion të ri mosbesimi./La Repubblica

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Nga sot sekuestro bulmetit pa faturë, si e vlerësoni?