Presidenti francez Emmanuel Macron ka konfirmuar sërish Sébastien Lecornu-n në postin e kryeministrit të qeverisë franceze.
Megjithëse Lecornu kishte paraqitur dorëheqjen të hënën në mëngjes, kreu i shtetit ka vendosur ta riemërojë ish-ministrin e Mbrojtjes, i cili më parë kishte preferuar të tërhiqej duke deklaruar: “Nuk kishte kushte për të vazhduar, kanë mbizotëruar interesat e ngushta politike”.
Pak çaste pas konfirmimit nga Elizeu, Lecornu publikoi një mesazh në platformën X, ku shkruante: “E pranoj nga ndjenja e detyrës këtë mision që më është besuar, për të bërë të mundur që Franca të ketë një buxhet deri në fund të vitit.”
Sipas burimeve pranë presidentit, Macron ka vlerësuar se takimi i sotëm me partitë politike në Elize “konfirmon se ekziston një rrugë e mundshme për të arritur kompromis dhe për të shmangur shpërndarjen e Parlamentit.”
Rikonfirmimi i Lecornu-t ka befasuar shumëkënd: përpjekja e tij e parë për të formuar qeverinë kishte dështuar pas vetëm 27 ditësh nga marrja e detyrës, dhe ai vetë në momentin e dorëheqjes kishte deklaruar se “misioni i tij kishte përfunduar”. Rikthimi në krye të qeverisë pritet të jetë i vështirë që në fillim.
Partia e majtë “La France Insoumise”, e udhëhequr nga Jean-Luc Mélenchon, ka reaguar menjëherë duke thënë se nuk do ta mbështesë qeverinë e re: “Rikonfirmimi i Lecornu-t është një shuplakë për francezët.”
Edhe nga e djathta nuk ka pasur asnjë hapje: “Rassemblement do të rrëzojë menjëherë këtë ekip pa të ardhme,” ka shkruar në X Jordan Bardella. Ndërkohë, Marine Le Pen ka përsëritur thirrjen e saj për shpërndarjen e Parlamentit.
Komente
