Gjyqi më i madh në historinë e Francës kundër 20 personave të dyshuar për përfshirje në sulmet terroriste në Paris, gati gjashtë vjet më parë do të startojë ditën e sotme.
Sulmet terroriste të 6 viteve më parë në bare, restorante, një sallë koncertesh dhe stadiumin e futbollit jashtë kryeqytetit francez lanë të vrarë 130 njerëz dhe qindra të plagosur.
“Kërcënimi terrorist në Francë është i lartë, veçanërisht në raste siç është gjykimi i sulmeve”, tha ministri i Brendshëm, Gerald Darmanin për radion France Inter.
Të përballur me një situatë të tillë dhe frikën e sulmeve të mundshme policia është vënë në gatishmëri të plotë dhe gjatë kohës së gjyqit do të ndalohet qarkullimi në rrugët që çojnë në drejtim të gjykatës.
Sulmet u kryen nga sulmues vetëvrasës dhe një grup prej 10 personash në mbrëmjen e 13 nëntorit të vitit 2015. Ato u morën përsipër nga grupi ekstremist Shteti Islamik. Salah Abdeslam, 31-vjeçari francez-maroken i cili besohet të jetë i vetmi anëtar i mbijetuar i sulmuesve, do të jetë në bankën e të akuzuarve në objektin e ndërtuar për këtë qëllim. Abdeslam, 31 vjeç, gjithashtu duhej të hidhte në erë veten, por në vend të kësaj ai hodhi rripin e tij vetëvrasës dhe iku përsëri në Bruksel, ku u arrestua muaj më vonë.
Krahas Abdeslam, nëntëmbëdhjetë nga të dyshuarit tjerë, gjashtë prej të cilëve do të gjykohen në mungesë, akuzohen se kanë ndihmuar në sigurimin e armëve dhe makinave ose kanë luajtur një rol në organizimin e sulmeve.
Dymbëdhjetë nga 20 të dyshuarit përballen me burgim të përjetshëm nëse shpallen fajtorë. Gjatë 145 ditëve të procesit gjyqësor janë angazhuar gati 1,800 prokurorë dhe rreth 330 avokatë. Vendimi pritet në fund të majit 2022.
Procesi gjyqësor nuk do të transmetohet për publikun, por do të regjistrohet me qëllim të ruajtjes në arkivë. Kamerat e mediave mund të xhirojnë vetëm jashtë dhomës së gjyqit.