Franca ka thënë të enjten se ka kryer një operacion të ri për të kthyer shtetasit francezë – 40 fëmijë dhe 15 gra – nga kampet e udhëhequra prej kurdëve në verilindje të Sirisë. Fëmijët janë dërguar në qendrat për ofrimin e shërbimeve për kujdes ndaj fëmijëve, ka thënë Ministria e Jashtme përmes një deklarate, derisa gratë do të transferohen te autoritetet e drejtësisë.
“Franca falënderon autoritetet lokale për bashkëpunimin që e ka bërë të mundshëm këtë operacion”, ka thënë ministria.
Në muajin shtator, Gjykata Evropiane për të Drejta të Njeriut, ka marrë vendim që Franca të rishqyrtojë kërkesat për riatdhesim të dy grave franceze, që kanë udhëtuar në Siri me partnerët e tyre, për t’iu bashkuar grupit ekstremist, Shteti Islamik.
Kërkesa ka pasur edhe për fëmijët që kanë lindur atje. Shtetasit francezë kanë qenë në mesin e më shumë se 40.000 shtetasve të huaj, kryesisht irakianë, që janë në mbajtje, sipas organizatës për të drejta të njeriut, Human Rights Watch.
Sipas vlerësimeve të mëparshme të kësaj organizate, ka ende gra dhe fëmijë që vazhdojnë të jenë nëpër kampe të Sirisë, edhe pas operacionit të së enjtes. Një operacion i ngjashëm nga autoritetet franceze është realizuar edhe në korrik të këtij viti./REL