Prej të paktën dy ditësh ishte kuptuar se Emmanuel Macron nuk donte një kryeministër të majtë, por ata provuan deri në fund, edhe dje. Olivier Faure (socialistët), Marine Tondelier (ekologjistët), Fabien Roussel (komunistët) dhe të tjerët darkuan në një restorant vetëm pak hapa larg Elizesë, me një emër domethënës “Matignon” (pallati ku ndodhet zyra e kryeministrit), pastaj shkuan bashkë në mbledhjen e thirrur nga Macron, dhe t’i shihje teksa mbërrinin së bashku në oborrin e Elizesë krijonte menjëherë një ndryshim, të paktën në ton, krahasuar me liderët e “bazës së përbashkët” që po shuhet – Edouard Philippe (Horizons), Gabriel Attal (teorikisht i partisë presidenciale Renaissance), si edhe Retailleau dhe Wauquiez, të dy nga Républicains – të gjithë të mbërritur vetëm, me fytyra të ngrysura, disa minuta larg njëri-tjetrit.
Sekretarja e ekologjistëve, Marine Tondelier tregoi më vonë në mbrëmje në rrjetin informativ BFM prapaskenat e mbledhjes, ajo që kishte qenë vetë aty. Një rrëfim padyshim i njëanshëm, por megjithatë i dobishëm për të kuptuar disa mekanizma që po veprojnë në këto orë dramatike për demokracinë franceze. “Pasi hymë në Elize, ka një lloj paradhome, derisa të mbërrijnë të gjithë të ftuarit. Pastaj na fusin në sallonin e Ambasadorëve, ku kemi qenë edhe më parë për mbledhje urgjente, për shembull për Ukrainën. Dhe aty, surpriza e parë: nuk ka vende të caktuara. Zakonisht secili sheh emrin e tij mbi karrigen që do të zërë, dhe shpesh është interesante të kuptosh sipas cilës logjikë janë caktuar vendet. Kësaj here, asgjë. Prandaj, duke pritur që të vijë Macron, ndiheshim si në një lloj loje ‘arratisjeje’, duhet të uleshim dhe vetëm për ta bërë këtë duhej të bashkëpunonim, të binim dakord. Përpiqem të thyej akullin duke thënë ‘është një rast për ju të bazës së përbashkët për të treguar se ekzistoni ende, filloni ju të uleni pranë presidentit’, por askush nuk lëviz, bëjnë sikur nuk më kanë dëgjuar. Unë ulem përballë Macron, Fabien Roussel (komunisti) në të majtë të tij ashtu si edhe Olivier Faure (socialisti), gjë që ishte e dobishme sepse kështu mund t’i shkëmbenim shikimet ndërsa Macron fliste.”
“Atmosferë shumë formale, të gjithë dëgjojnë kur presidenti merr fjalën edhe sepse të gjithë përpiqen të kuptojnë diçka, për shembull Gabriel Attal erdhi në mbledhje pa asnjë ide se çfarë do të ndodhte dhe çfarë do të thoshte Macron, gjë e çuditshme nëse mendojmë se Attal është kreu i partisë presidenciale. Të gjithë vareshim nga buzët e presidentit për të kuptuar çfarë dëshiron të bëjë, por mbetëm të zhgënjyer sepse ai bëri vetëm tre pyetje: doni shpërndarje të parlamentit? A ekziston ende baza e përbashkët? Çfarë kompromisesh jeni gati të bëni? Secili përgjigjet, ne me kolegët e majtë kërkojmë postin e kryeministrit sepse është e qartë që ‘baza e përbashkët’ nuk ekziston më, por pas gjithçkaje që ndodhi dhe pas gjithë këtyre fjalëve Macron thotë ‘i dëgjova të gjithë, aritmetikisht ata (qendra dhe e djathta) janë 210, ju (e majta) jeni 191, pra ata fitojnë’.”
Edouard Philippe, kryeministri i parë i Macron, i cili dy ditë më parë kërkoi dorëheqjen e presidentit, nuk thotë asnjë fjalë. “Pas një jave sulmesh dhe fyerjesh të ndërsjella, askush prej tyre nuk guxoi ta kundërshtonte presidentin,” përfundon Tondelier. Urime për (përsëri) kryeministrin Lecornu./Corriere della sera
Komente
