Le Pen

Francë e Angli, qytetërimi mobilizohet kundër urrejtjes

8 Korrik, 18:49| Përditesimi: 8 Korrik, 18:55

  • Share

Ngritja marramendesë e ekstremistes së djathtë Marine Le Pen në Francë shqetësoi qytetërimin. Në turnin e dytë të zgjedhjeve legjislative, francezët u mobilizuan duke përmbysur rezultatin e duke nxjerrë në dritë kaolicionin e të majtës, ku mes tyre është edhe e majta radikale LFI. Por ka një ndryshim thelbësor në esencën e ekstremit të majtë dhe ekstremit të djathtë në politikën mbarëbotërore. Është urrejtja dhe ndarja, përbuzja dhe përjashtimi. E majta, sado ekstreme, asnjëherë nuk përfshin si në gjuhë, ashtu dhe në program urrejtjen dhe ndarjen njerëzore. Për shembull, në rastin e Francës, LFI është kjo:

“Përballë trazirave të mëdha në botë, nuk mund të presim më. Ne duhet të transformojmë rrënjësisht shoqërinë dhe të ndërtojmë harmoni midis qenieve njerëzore dhe me natyrën. Ne jemi gati të qeverisim për të realizuar moton e Republikës sonë: “Liri, Barazi, Vëllazëri”. Bashkimi Popullor na jep forcë të parezistueshme. Kam besim: në 2027 jeta juaj do të ketë ndryshuar, për mirë. Një botë tjetër është e mundur”.

Ngritja e Le Pen dhe e të ngjashmëve të saj kudo, mban në vetvete, si një parim të qënësishëm, izolimin dhe privimin e të drejtave ndaj emigrantëve, qytetarëve me kombësi të ndryshme. Edhe në zgjedhjet e fundit, premtimet e Le Pen për një Francë më të pasur dhe të mirë, parashikonin prerje të fondeve ndaj emigrantëve dhe sidomos, një frymë kundër tyre.

Ekstremistët e djathtë vazhdojnë të përdorin gjuhën e urrejtjes, të prekin tema që nxisin reagime institktive të popullatës vendase, e cila shpesh duket e kërcënuar dhe e “rrezikuar” nga një popullsi globale që ëndërron të jetojë në një botë të qytetëruar dhe të civilizuar gjithashtu. Franca është djepi i kësaj mikpritje, i një integrimi të jashtëzakonshëm, të vështirë, por edhe të realizuar, që në vend të urrejtjes, dëshiron të ndjekë e përndjekë vetëm një rrugë të mundshme: Atë të harmonisë, ndaj për këtë arsye zgjedhjet e 7 korrikut ishin me pjesëmarrjen më të lartë në 30 vitet e fundit. Qytetaria u mobilizua për të ndalur (hëpërhë përkohësisht, por urojmë përgjithmonë) projektet e gjuhës dhe punës së urrejtjes mes njerëzve.

Ashtu si në Britaninë e Madhe, tjetër djep i bashkëjetesës së qindra kulturave, gjuha e ashpër dhe ndarëse ndaj emigrantëve, penalizoi konservatorët duke sjellë në drejtim laburistët, më tolerantë e më të kujdesshëm ndaj temave sociale dhe gjithëpërfshirjes.

Njerëzit konstruktivë, gjithëpërfshirës, respektues të dinjitetit dhe të vlerave më të larta njerëzore, u bënë bashkë për të dhënë një sinjal që duhet të kapet anembanë globit: E ardhmja duhet të jetë ajo e harmonisë dhe e bashkëjetesës paqësore. Nuk duhet të ketë vend për kë mbjell urrejtjen. Zakonisht Franca, Anglia, por edhe SHBA-të janë pioniere të asaj që duhet të jetë e ardhmja. Për fat të mirë, edhe Shqipëria, i mban sytë drejt këtyre demokracive, të ngritura gur më gur, e të mbajtura fort dhe me sakrifica të jashtëzakonshme.

a.m.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?