Bordo- Një 32-vjeçar shqiptar i burgosur në Francë ka sulmuar dhunshëm fundjavën e kaluar (31 Gusht), 3 nga oficerët e burgut ku po kryente dënimin dhe më pas kërcënoi shefin e sektorit dhe të tjerët me vdekje, të nesërmen e incidentit.
Një prej efektivëve u ça me copë xhami në fytyrë, duke marrë një plagë serioze. Por jo vetëm kaq.
Pasi teksa pritej dalja për masë sigurie në Gjykatën e Bordosë ditën e djeshme (3 Shtator), seanca duket se ka dështuar dhe i dyshuari, emri i të cilit nuk u publikua, ka mbetur në qelitë e Burgut të Gradignan.
Shkak është bërë një kërkesë për ekspertizë psikiatrike për 32-vjeçarin me origjinë shqiptare, e kërkuar nga vetë Sindikata e Burgjeve pas ngjarjes së paprecedentë.
Media franceze “Sudouest” raporton ndër të tjera dinamikën e krimit:
“Incidenti ndodhi në ambientet e brendshme të burgut, teksa shqiptari sulmoi fizikisht duke dëmtuar punonjësit e burgut, madje duke e goditur njërin prej tyre me një copë xhami në fytyrë dhe duke i shkaktuar një plagë që pati nevojë për 17 qepje nga ana e mjekëve”.
Burri më pas u përpoq të sulmonte një shef sektori në mbrëmje dhe më pas të kërcënonte agjentët e tjerë me vdekje të nesërmen në mëngjes (1 Shtator), sipas sindikatës Ufap (UnSa Drejtësia).
Të burgosurit e dhunshëm (UDV) vendosen në një njësi izolimi të posaçme. Por tani kërkohet trajtimi i shqiptarit në një njësi psikiatrike, pasi ka shfaqur shenja çrregullimi të forta psikike.
"Vendi i tij duhet të jetë në një njësi të dedikuar psikiatrike ose UDV", tha Sindikata në një deklaratë për shtyp.
Nuk jepen detaje rreth gjeneraliteteve dhe krimit të kryer nga 32-vjeçari shqiptar.