Në fjalimin para senatit francez, i pari i një mbreti britanik në histori, Mbreti Charles III këmbënguli për rivendosje të miqësisë së fortë mes 2 vendeve, ndërsa i propozoi presidentit Macron një partneritet që të trajtojë çështjet e klimës dhe biodiversitetit.
“Ju keni verën, por ne kemi humorin!". Kjo batutë e mbretit Charles në banketin shtetëror të Versajës në Francë, nuk ka kaluar pa marrë komente pozitive për mprehtësinë e monarkut dhe bashkëshortes së tij në ditën e parë të vizitës në Francë. Ekspertët, duke analizuar gjuhën e trupit kanë dalë në përfundimin se takimi mes mbretit të Britanisë së madhe dhe presidentit francez ka shkuar shumë mirë.
Në ditën e dytë të vizitës, ai përcolli një mesazh uniteti mes dy vendeve.
“Gjatë kohës që unë do të jem mbret, zotohem të bëj gjithçka që mundem për të forcuar marrëdhëniet e domosdoshme midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës. Një aleancë e përbashkët është më e rëndësishme se kurrë në kontekstin e luftës në Ukrainë dhe për t’u mbrojtur botën nga kërcënimet mjedisore”, tha Charles.
Charles sugjeroi që Franca dhe Britania duhet të bashkohen për të trajtuar së bashku emergjencat e klimës dhe biodiversitetit me një version të ri të paktit të vitit 1904 që vulosi miqësinë midis Parisit dhe Londrës.
"Unë do të doja të propozoja që të bëhet gjithashtu një Partneritet për Qëndrueshmëri në mënyrë që të trajtojë në mënyrë më efektive urgjencën globale të klimës dhe biodiversitetin”, tha Charles
Mbreti iu referua gjithashtu mbretëreshës së ndjerë Elizabeth II, një figurë popullore në Francë, e cila iu drejtua Senatit në vitin 2004.
Pjesa e vizitës shtetërore në Paris përfundon me një lamtumirë zyrtare nga Macron në Pallatin Élysée.