Emmanuel Macron pritet të emërojë një kryeministër të ri “brenda 48 orëve të ardhshme”.
Kështu ka deklaruar kryeministri në dorëheqje, Sébastien Lecornu, në një intervistë për France 2, duke shpjeguar se “shumica absolute në Asamblenë Kombëtare e refuzon shpërndarjen e saj”. Por, ka shtuar ai, “misioni im ka përfunduar”.
“Ndjej se ende ka një rrugë të mundshme”, tha Lecornu, duke theksuar megjithatë se “nuk po vrapoj pas postit të kryeministrit”.
Pas 48 orësh konsultimesh intensive, në orët e pasdites Lecornu mbërriti në Pallatin Elize për t’i raportuar presidentit Macron mbi mundësinë e arritjes së një kompromisi qeveritar me forcat e tjera politike, në mënyrë që të shmanget rikthimi në zgjedhje të parakohshme.
Kryeministri mbërriti në pallatin presidencial pak pas orës 18:00 dhe rreth orës 20:00 shkoi në studiot e France 2, për të ndarë drejtpërdrejt me qytetarët francezë përfundimet e tij. Ndërkohë, për sot nuk është parashikuar asnjë dalje publike e presidentit Macron.
Komente
