Paris Saint Germain është një pikë larg për t'u shpallur kampion i Ligue I në Francë për herë të 13-të në histori (titulli i dhjetë në 12 vitet e fundit). Të shtunën e 29 marsit PSG fitoi me përmbysje 1-6 në fushën e Saint-Etienne, por kjo nuk i mjaftoi që të kurorëzohej kampion në një sezon të dominuar prej tyre.
Paçka se shtatë javë nga fundit i sezonit (u luajt raundi i 27-të), PSG e sheh veten pranë një trofeu për të kënaqur tifozët dhe për të treguar diferencat mes tyre dhe rivalëve të Marseille, Monaco apo edhe Nice.
Vendasit kaluan në epërsi me Stassin në minutën e 9-të, para se Ramos të barazonte në ekstremin e pjesës së parë me penallti. Më pas në fraksionin e dytë Kvaratskhelia, Doue (2x), Mbaye dhe Neves shënuan golat e tjerë për ekipin e Luis Enrique.
Fitorja 2-1 e Monaco ndaj Nice bëri që ende matematikisht PSG mos jetë zyrtarisht kampione, por sfida e 5 prillit (e shtunë) në "Parkun e Princave" kundër Angers duket se do jetë e duhura që ekipi i Enrique të fitojë titullin para tifozëve të tyre.
Me 71 pikë PSG dominon renditjen në Ligue I, ndërsa ndjek Monaco me 50 pikë dhe Marseille me 49 pikë.
Komente
