Ndodhi e çuditshme në kombëtaren italiane të futbollit pak ditë para ndeshjeve kualifikuese për Kupën e Botës 2026. Mbrojtësi i Interit, Francesco Acerbi ka refuzuar ftesën e trajnerit Luciano Spalletti, duke lënë të kuptohet për një prishje marrëdhëniesh dhe mungesë respekti nga stafi teknik.
37-vjeçari ishte përfshirë në listën paraprake për sfidat ndaj Norvegjisë dhe Moldavisë, por ka bërë të ditur se nuk do të jetë pjesë e ekipit kombëtar këtë muaj. Ai u aktivizua si titullar në finalen e Champions League ku Interi u mposht 5-0 nga PSG, por duket se humbja ka ndikuar në vendimin e tij personal.
Në një shënim të publikuar në kanalet e komunikimit, Acerbi u shpreh: "Nuk është një vendim që e kam marrë lehtë. Megjithatë, besoj se në dritën e ngjarjeve të fundit, kushtet nuk janë sot që unë të eci përpara me qetësi. Kërkoj respekt. Nëse ky respekt mungon nga ata që duhet ta udhëheqin grupin, preferoj të largohem. Nuk do të qëndroj aty ku nuk më duan më vërtet dhe është e qartë se nuk jam pjesë e projektit të trajnerit."
Refuzimi i Acerbit vjen në një moment kritik për "Të kaltrit", të cilët ndodhen në një fazë rindërtimi nën drejtimin e Spallettit. Ende nuk ka pasur një reagim zyrtar nga trajneri i Italisë, por ky zhvillim pritet të ndikojë jo vetëm në atmosferën e ekipit, por edhe në zgjedhjet për mbrojtjen në sfidat e ardhshme.
Komente
