Kujtimet e dy francezëve në Shqipërinë moniste, si i priti regjimi monist shqiptar, porositë, faktet, përse erdhën, kush i solli dhe cila ishte dashuria e tyre për Shqipërinë.
Chantal Sauvain per Shqipërinë dhe Tiranën moniste të atyre viteve kujton:
Në vitin 1971, ne morëm një vizë shqiptare e vlefshme për 30 ditë për periudhën 1-30 korrik. Në pasaportën time viza kishte numrin 142, ndërsa nuk e di se ç’numër kishte Alain-i pasi ai nuk jeton më që prej 6 muajsh e unë nuk kam asnjë dokument që ta tregojë. Na u tha se numri i shënuar në pasaportë tregonte numrin rendor të vizave të dhëna nga Shqipëria që nga mbarimi i luftës 39/44. Të jetë e vërtetë vallë? Këtë nuk e mësuam kurrë. Sidoqoftë, edhe ata pak francezë që mundëm të takonim ishin komunistë të vendosur, ndërsa Alain-i e unë nuk kishim asnjë etiketë politike, ne ishim thjesht turistë. Me vjen keq që nuk kam asnjë foto nga qëndrimi ynë në Shqipëri, pasi ato i mbante Alain-i e prandaj mbresat nga ky udhëtim nuk do të mund t’i shoqëroj me foto.
Pasi përshkuam Italinë me makinën e Alain-it, një “SIMCA 1000”, e fjetëm një natë në Zagreb arritëm në Shqipëri, rreth datës 3 korrik e qëndruam deri më 22 korrik 1971 (shpresoj të jem afërsisht e saktë me datat se nuk më kujtohen me përpikmëri as data e nisjes nga Franca e as ajo e mbërritjes në Shqipëri).
Pasi përshkuam një rrugë shumë të vështirë nga Titogradi në ish-Jugosllavi (Podgorica e sotme në Mal të Zi) deri në kufirin shqiptar, përgjatë së cilës hasëm vetëm kamionë çka e bënte edhe më të rrezikshme, na u desh të prisnim dy orë në pikën e kufirit tokësor shqiptar, e theksoj kufirin tokësor pasi ne na prisnin në pikën kufitare të aeroportit të Tiranës e autoritetet përkatëse prisnin urdhërin nga Tirana për të lejuar kalimin tonë. Ne ishim dy të rinj që nuk kishim dalë shpesh nga vendi ynë e nuk dinim se ç’ndodhte jashtë kufijve të Francës. U habitëm kur pamë përgjatë rrugës fshatarë që punonin tokën, të veshur me kostumet tradicionale, njëjtë me ato të valltarëve pjesëmarrës të grupit të Tiranës e që promovuan në Francë folklorin shqiptar. Rruga në drejtim të Tiranës ishte e ngushtë e me shumë kthesa, asnjë veturë në të, por vetëm kamionë e traktorë. Mbrëmja po binte, por në rrugë nuk kishte asnjë ndriçim publik përveç ndriçimit të zbehtë të shtëpive në fshatrat e larguar anës rrugës. Më në fund arritëm në Tiranë në “Hotel Dajti”, adresë që na e dhanë kur hymë në kufi.
Të nesërmen në mëngjes, së bashku me Alain-in u nisëm në kërkim të një banke për të thyer në Lek frangat që kishim me vete (lekë që thuajse nuk i shpenzuam, përveç se për blerjen e pak dhuratave, si kukulla me veshje popullore shqiptare, kuti me zbukurime për vendosjen e bizhuve dhe ndonjë pikture të vogël), por për dhuratën më të bukur po ju tregoj në vijim.
Pranë Bankës ne takuam Vetin, një valltare e re e Ansamblit të Këngës e Valleve Popullore, pjesëmarrese ne Dijon ,c’ka ishte nje surprize qe na gezoi shume. Shëtitëm në sheshin “Skënderbe” ku qarkullonin më shumë kamionë se vetura, të cilat i binin vazhdimisht borisë. Ne hotel na priste Zhani Ciko. Pasi na uroi mirëseardhjen, na tha që të linim në “Hotel Dajti” makinën tonë “SIMCA 1000”, sepse na ishte vënë në dispozicion një makinë me shoferin dhe guidën. U mrekulluam nga ky propozim, për më tepër që Alain-i nuk e ndjente veten shumë të sigurt për të vazhduar udhëetimin tonë nëpër Shqipëri. Por, ajo që nuk dinim e që ishte një surprizë e madhe për ne ishte që të gjitha shpenzimet e qëndrimit tonë në Shqipëri ishin të paguara. Gjithçka, fjetja, ushqimi, vizitat, guida e paharruar edhe një paketë cigaresh për mua çdo mëngjes mbi tavolinë kur uleshim për të ngrënë.
Ishte diçka e jashtëzakonshme, u pritëm si të ishim ambasadorë. Zhani u kujdes gjatë gjithë qëndrimit tonë në Shqipëri. U takuam me Ministrin e Kulturës, vizituam uzina, ferma bujqësore ku na prisnin kudo persona drejtues që merrnin nga koha e tyre për të na shpjeguar e për t’ju përgjigjur pyetjeve tona dhe në perfundim të çdo vizite na ftonin për të ngrënë së bashku.
Morëm pjesë në përurimin e një hekurudhe, vizituam një qendër vullnetarësh të rinj, të cilët gjatë pushimeve verore kontribuonin në ndërtimin e rrugëve, dhe ishim të pranishëm në spektaklin e tyre. Kur hymë në sallën e shfaqjes, të gjithë spektatorët na pritën me duartrokitje sikur ne të kishim bërë diçka të veçantë për t’i merituar. Ishte e mrekullueshme dhe na emocionoi thellësisht. Vizituam gjithashtu mjaft qendra të njohura turistike si Shkodrën dhe urën e Mesit, Elbasanin, Beratin ose siç e quajnë ndryshe, qytetin e një mbi një dritareve, Durrësin, kalanë e Gjirokastrës, Vlorën dhe Sarandën këto qytete të bukura bregdetare, qytetin antik të Butrintit dhe sigurisht Tiranën e Pallatin e saj të Kulturës ku u njohëm me rolin e Skënderbeut në historinë e Shqipërisë.
Në sallën e Operas tre tenorët na pershendetën me ariet e tyre, ndërsa trupa e Ansamblit Folklorik luajti vetëm për ne të dy, Alain-in e mua. Në darkë një mbrëmje vallëzimi me qytetarë të Tiranës e pjestarë të trupës së Ansamblit Folklorik. Gjithçka ishte kaq magjepsëse.
Ka edhe disa momente të veçanta që më vijnë ndërmendje, të cilat i tregoj si anekdota.
Në mbrëmje të ditës së mbërritjes dolëm për t’u takuar me Zhanin te Opera. Tiranasit e kishin zakon të shëtisnin në mbrëmje me qindra në bulevardin “Dëshmoret e Kombit”, si “les Champs Elysees” të Tiranës, e na hapnin rrugën kur kalonim ne, sikur të ishim persona shumë të rëndësishëm, nuk ishim mësuar me kaq shumë vëmendje.
Dy ditë me pas, Petraq Treska, shoqëruesi ynë i mrekullueshëm, krejt i veçantë si për nga profesionalizmi po aq edhe për mirësjelljen e dashamirësinë e tij, më mori mënjanë e me tha: -“Chantal, nuk e kam aspak të lehtë për këtë që dua të të them, por më duhet të të njoftoj se ndoshta do të duhet t’i zgjatosh pak fustanet” (sipas modës në Francë, unë vishja minifunde, por kjo nuk ndodhte në Shqipëri). Përgjigja ime ishte e menjëhershme “po shumë mirë atëherë, shfaqim feminilitetin tonë”, por ai më tha: -“Jo Chantal, do t’ju marrin për çfarë nuk jeni”. Isha vetem 20 vjeçe e jo shumë e matur. E kuptova, sigurisht e prandaj i flaka fundet e fustanet e shkurtra për të mbajtur që prej asaj dite pantallona që ishin edhe më praktike në udhëtime. Një herë tjetër, në vend që të pushoja në drekë, sikurse na ishte thënë, dola nga hoteli dhe po flisja e luaja me disa fëmijë të rritur aty rrotull, disa ushtarakë arritën menjëherë dhe i detyruan femijët të largoheshin, ata më lanë të kuptoja se nuk mund të qëndronin më nga frika e ndëshkimit.
Dola të shëtis e vetme në rrugët e qytetit, por ndesha përsëri në atë vështrim të habitur të kalimtarëve sikur të kisha dalë nga kopshti zoologjik. Kur u ktheva në hotel, edhe pse nuk kisha njoftuar njeri se po dilja, me pyetën se si shkoi shëtitja.
Gjatë vizitës në një kopsht me fëmijë të moshës 3-4 vjeç mbeta e habitur kur i dëgjova tek këndonin këngë revolucionare me grushtin lart. Edhe pse po flas për këto gjëra, ju lutem mos më paragjykoni, nuk janë as kritika, as qortime as keqdashje, ishin fakte që i shihja për herë të parë në udhëtimin tim të parë, larg shtëpisë, nuk dija asgjë për jetën në vendet komuniste për të mos thënë maoiste, biles nuk e dija që Enver Hoxha ishte ai drejtues i shtetit që kishte futur vendin e tij në një izolim të plotë. Keto i mësova gjatë qëndrimit tim në Shqipëri. Edhe diçka tjetër me çuditi shumë, nuk mund të bënim asnjë vizitë private. Të gjitha vizitat ishin vetëm zyrtare e të programuara. Në Tiranë e në qytete nuk kishte asnjë butik, vetëm dyqane këpucësh, rrobash të gatshme, dyqane me punime artistike etj.…
Për Tiranën ruaj kujtimin e një depoje të madhe ku mund të blije vetëm te domosdoshmen për t’u veshur e asgjë luksi.
Ky bilanc “politik” nuk më pengoi aspak, përkundrazi, të ndjeja nga afër dashamirësinë e Shqiptarëve që njoha, kam përmendur Petraqin, por nuk le dot pa përmendur edhe Vasilin, shoferin tonë kaq të sjellshëm, të duruar, gjithnjë në dispozicion, e sidomos Zhanin e motrën e tij Ketin, kaq të këndshëm e të kujdesshëm ndaj nesh sikur të lexonin në mendjen tonë, sepse gjithnjë planifikonin atë që ne deshironim.
E them përsëri, Zhani organizoi së bashku me Petraqin udhëtimin tonë të mrekullueshëm në Shqipëri. Më vjen keq që nuk mund të citoj të gjithë ata me të cilët u takuam si gjatë qëndrimit tonë në Shqipëri ashtu edhe në Festivalin e Dijon-it, ishin njerëz të jashtëzakonshëm.
Po i mbyll këto përshtypje me festën e organizuar për ditëlindjen time të 21-të, në moshë madhore tashmë. Ajo ditë mbetet e paharruar për mua. Ishim në bregdet, më duket në Durres, dhe në mëngjes zgjohem me melodinë e këngëve franceze. Petraqi me thote se është një transmetim special i radios shqiptare për nderin tim, e pabesueshme! Në mbrëmje në Tiranë na prisnin në “Hotel Dajti” për të festuar datëlindjen time, Zhani, Petraqi, si dhe ambasadori i Shqipërisë në Francë (e pata takuar në Dijon e të më falë që nuk ia kujtoj dot emrin).
Ai ndodhej në Tiranë në ditën time të lindjes. Mbrëmja kaloi në atmosferë të paharruar, një meny festive e në fund një tortë e madhe me 21 qirinj. Kur u ngjita në dhomë, ajo ishte e mbushur plot buqeta lulesh e dhurata nga miqtë e mi shqiptarë.
E si mund të harroj unë vallë shqiptarët e Shqipërinë?!
Javën e fundit vetëm tre ditë përpara se Zhani të më kërkonte nëse doja të tregoja mbresat e mia mbi Shqipërinë e shqipëtarët, unë sapo iu kisha folur miqve të mi francezë. Është një faqe e jashtëzakonshme, e veçantë dhe e paharruar në jetën time. Më vjen keq që Alain-i nuk është për të plotësuar me kujtimet e tij çka unë me siguri kam harruar. Ai do të ishte shumë i kënaqur t’a bënte këtë.