Françesk Radi

Franko ishte idhulli i brezit tonë dhe në fatin dhe dramën e tij

3 Prill 2019, 07:31| Përditesimi: 3 Prill 2019, 08:24

  • Share

Franko (Françesk Radi) ishte idhulli i brezit tonë dhe në fatin dhe dramën e tij, ne shikonim fatin dhe dramën tonë.

Me Frankon jam takuar për herë të parë në Radio - Tirana, po njohja me të ka qënë shumë  më e herëshme. Kur atë e kishin transferuar në  Fushë -  Arrës, mua më degdisën po për “edukim”, në Hidrocentralin e Fierzës dhe kur kthehesha një herë në muaj në Tiranë, qëndroja herë pas here në Fushë -  Arrëz  ku ishte shoku im me i ngushte, Ruzhdi Keçi që punonte si veteriner. Qëndroja aty një natë, në shoqërinë e “jabanxhinjve” të tjerë dhe nuk kishte se si të mos flisnim edhe për Frankon. Ai ishte idhulli i brezit tonë dhe në fatin dhe dramën e tij, ne shikonim fatin dhe dramën tonë. Në atë kohë, siç më thoshin ata, Franko ishte në një gjendje të vështirë krize dhe ishte  disi i tërhequr nga shoqëria. Megjithatë, për të gjithë ai vazhdonte të ishte jo vetëm artisti i mrekullueshëm, por dhe një shok i rrallë.

Pas një bllokade të gjatë, kur ai nuk shfaqej më në ekrane dhe festivale, më duket se ka qënë pikërisht kjo kohë, kur më në fund Frankon e pashë në skenë, po këtë rradhë jo me kitarën e tij, po me një çifteli dhe me veshjen e një pukjani që, të them të drejtën i shkonte shumë. Këndoi këngën “Molla e kuqe”, variant alla Franko i një kënge të asaj zone. Pas kësaj në “repertorin “ e darkave tona në barakat e Fierzës, u shtua përveç “Adresës” dhe “Biçikletës” edhe “Molla e kuqe”. Pas kthimit nga Fierza dhe përmbysjes së diktaturës, miku im, regjisori Leonard Gjata, me ftoi të shkruaj skenarin e Festivalit të 31- të  këngës në RTSH. Që nga ai dhjetor, takimet me Frankon u bënë të zakonshme. Ai ishte në redaksinë e muzikës, unë në të kulturës. Ishin kohë të vrullshme kur më në fund na u dha mundësia të shkruanim dhe të këndonim ashtu siç kishim ëndërruar. Jemi takuar shpesh, po asnjëherë  nuk folëm për ato që kishim hequr në fatet tona paralele, ndërkohë që shumë të tjerë rreth nesh, i binin daulleve të “disidencës”.

Monumenti i Françesk Radit te Parku i Liqenit

Me tekstet e këngëve u mora krejt rastësisht, po në rastin e parë që m’u dha, bëra atë që ëndërroja prej kohësh, u mundova të sjell poezinë e vërtetë, pa rimat foljore dhe problematikën banale, që mbytën krijimtarinë e atyre viteve dhe vazhdojnë edhe sot e kësaj dite. Në këtë pikë, paralelet me Frankon, na u bashkuan, pasi ai ishte nga artistët e pareë që ishte përpjekur të  bënte të njëjtën gjë me këngët e tij. Kisha shkruar tekstet e këngëve të Grupit Mister, “Nuk është Babilon”, “ Kulti im - dita ime”, “Krimi nuk jam unë” etj. Kur Franko më kërkoi ta ndiqja lart, në një nga studiot e boshatisura mbi Fonotekën e radios, ku ai kishte ca vegla të vjetra dhe një karrike këmbëthyer. Kjo është  studioja ime, më tha. Pastaj, mori kitarën dhe luajti një motiv që m’u duk shumë i thjeshtë  dhe që arrita ta përsëris pa vështirësi. Dua të bëj një këngë vuajtjeje dhe shprese. I shikoj të dyja, i thashë. Vuajtjen në strofë, shpresën në refren.

Kam një poezi që i përshtatet shumë kësaj që kërkon. Titulli është “ Më thotë pylli, eja” dhe ia recitova menjëherë. E pëlqeu,  po derisa poezia u kthye në tekst kënge dhe kënga u realizua, m’u desh të përballoj shqetësimin e përditshëm  të tij dhe këmbënguljen për përsosmëri, që mua nuk më vinin hiç për shtat. Ai këmbëngulte që  strofa të ishte sintezë e asaj që kishim kaluar, duke e shtrirë  edhe në aspektin ekologjik që për herë të parë, po fitonte terren në Shqipëri. Nga kjo këmbëngulje e Frankos erdhën vargjet “...E lashë qytetin mbushur plot me zogj të vrarë / Trishton një pemë e  tharë / Dhe bari qan...” të cilat i dhanë këngës një dimension shumë më të gjerë. Kënga u prit shumë mirë dhe klipi i thjeshtë me siluetën e bukur dhe elegante të Frankos në ecje, m’u duk i mrekullueshëm.

Më pas, ai më bëri një nder të madh, kur albumit të tij, i vuri titullin e këngës sonë “Zemër e lodhur”. Kur doli për herë të fundit nga holli i Radio Tiranës nën tingujt e këngës “Zemër e lodhur”, e dija se po përcillnim një zemër të madhe që edhe lodhjen e saj ia ktheu njerëzve në fisnikëri dhe tinguj dashurie.

Vitet e fundit me Frankon takoheshim rrallë, kurse tani, takohemi pothuajse çdo ditë. Kur dalim nga Parku i madh, aty para kishës, i them gruas : “ Kalojmë nga Frankoja!” dhe ecim në heshtje duke parë kitarën e bronztë, syzat, flokët e gjata  dhe trupin elegant. Në një nga këto ditë, kur ishim aty, një djalë i vogël, pyeti gjyshin : “ Kush është ky burri me kitarë? “ Ky...është Franko”, - tha, dhe eci ngadalë me nipin për dore.

Vangjel Kozma, skenarist

G.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?