Kreu i AKEP, Tomi Frashëri, sot te Komisioni për Dezinformimin
Kryetari i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), Tomi Frashëri, i pranishëm sot në Komisionin për Dezinformimin, të drejtuar nga deputeti socialist Erion Braçe, foli edhe “për implementimin e rrjetit 5G në Shqipëri”, për të cilin tha se “ekziston Memorandumi i Mirëkuptimit midis Këshillit të Ministrave të Shqipërisë dhe SHBA-së, për përdorimin e teknologjive të besueshme dhe të pastra për të gjithë rrjetin”.
Gjatë raportimit në Komisionin e Posaçëm “Për të koordinuar dhe mbikëqyrur të gjitha veprimet institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike të vendit”, Frashëri theksoi se, “implementimi i rrjetit 5G në vendin tonë parashikohet të nisë vitin që vjen”.
“AKEP e ka integruar në politikat e saj, memorandumin e mirëkuptimit dhe paralelisht e kanë integruar edhe operatorët, të cilët vijojnë të jenë në partneritet bashkëpunimi edhe me vendet aleate”.
Sipas tij, pozicioni i shtetit shqiptar është i panegociueshëm në këtë fushë:
“Teknologjitë për rrjetet 5G, por edhe për teknologji pak më të vjetra, duhet aplikuar vetëm teknologji e besueshme, duke pasur parasysh edhe rastet kur mund të zëvendësohet teknologjia e vjetër sipas standardeve të sigurta”.
Sa i takon operatorëve të telefonisë celulare, Frashëri shpjegoi se, njëri nga dy operatorët ka bërë një investim shumë të madh para 3 vitesh, duke zëvendësuar 100% teknologjinë me teknologji perëndimore dhe ishte i pari operator celular në Ballkanin Perëndimor për këtë investim bashkëkohor që ndërmori. Pra ky operator do t’i ofrojë abonentëve të tij jo vetëm shërbimet 5G në të ardhmen e afërt, por edhe për rrjetin 4G aktualisht 100% rrjet perëndimor.
Frashëri deklaroi se të gjitha teknologjitë që do të përdoren për rrjetin 5G në vendin tonë, do të jenë absolutisht me standarde 100% perëndimore.
Lajmi kryesor:
Dezinformimi/ ‘Mos hapni çdo mesazh që vjen, edhe deputetët 'viktima'! Kreu i AKEP: U mbyllën 155 domaine ruse, 8 të grupeve të hakerimit! Qëllim, shkatërrimi i të dhënave
A.Q/ReportTv.al