Kryeministri Edi Rama në një intervistë për emisionin "Studio Live" në Report Tv dha dhe një koment mbi Fredi Belerin, kryetarin e zgjedhur në Himarë në zgjedhjet e 14 majit 2023, por i dënuar me 2 vite burg nga GJKKO për vjedhje votash. Tregoi dhe stadin e marrëdhënieve aktuale me homologun grek, Kyriakos Mitsotakis ndërsa përsëriti qëndrimin e prerë se çështja i takon drejtësisë dhe këtu është vija e kuqe.
Arber Hitaj: Fredi Beleri? Do të jetë kandidati zyrtar për në PE i Demokracisë së Re të Mitsotakis, besoni se zgjedhja e tij mund ta dëmtojë procesin integrues të Shqipërisë. A ka shkrirje akulli me kryeministrin e Greqisë?
Edi Rama: Prapë me akujt, ftohjet, ngrohjet. Marrëdhëniet e mia me kryeministrin e Greqisë janë shumë të mira. Nuk kanë ndryshuar as në kohën kur marrëdhëniet mes dy vendeve kanë pësuar këtë lloj tronditje jo për shkakun tonë. Sepse unë besoj tek komunikimi, ballafaqimi i të vërtetave. E kam të pamundur të mos them atë që mendoj. Njëkohësisht jam i hapur dhe i gatshëm të dëgjoj edhe nëse nuk jam dakord. Ky është një dialog që ka vijuar dhe nuk është ndërprerë asnjëherë, por ndodh që në raportet shtetërore që kondicionohen nga pozicioni politik, agjenda politike, interesi sipas njëri e tjetrit të shtetit të vet të ketë dhe tronditje marrëdhëniesh. Në këtë aspekt nuk ka dhe nuk do të ketë problem nga ana ime.
Sa i takon ecurisë së procesit, kërkon nga unë diçka që nuk komentoj. Për mua, ajo është çështje e drejtësisë shqiptare, e këtu mbaron. Se çfarë bëhet në Greqi e cfarë bëjnë ata që ndajnë kombësinë me zotërinë nuk është puna ime por këtu çdo qytetar shqiptar pavarësisht kombësisë i nënshtrohet drejtësisë shqiptare. Kësaj drejtësie që siç është e pavarur dhe e lirë të bëjë atë që mendon, kur godet individë brenda oborrit të PS-së, e patrazuar, është e lirë të bëjë atë që mendon kur godet individë në çdo oborr të çdo partie e në çdo pjesë të oborrit të Shqipërisë kur e sheh të arsyeshme si rezultat shkeljes së ligjit. Në këtë proces shtetbërjeje të Shqipërisë ky është aspekt mbi të cilin ne nuk negociojmë asgjë e me askënd, as brenda partisë e as mes partive e lëre më pas me një shtet tjetër.
Lajmi kryesor:
INTERVISTA/ Arrestimet e ‘5D’ Rama për Report Tv: SPAK le t’i nxjerrë ujin e zi korrupsionit! 'Emisioni i RAI3', Kryeministri: Shqipëria u sulmua me duart e italianëve, malli nga Tirana
S.G//ReportTv.al