Fredi Beleri

Fredi Beleri mbetet në burg, Gjykata e Posaçme nuk pranon kërkesën për zëvendësim të masës së sigurisë

20 Qershor 2023, 15:13| Përditesimi: 20 Qershor 2023, 15:26

  • Share

Fredi Beleri, kandidati fitues i bashkisë së Himarës në zgjedhjet e 14 majit nuk do të dalë nga qelia ku mbahet nga 12 maji kur dhe u arrestua për shitblerje votash.

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar rrëzoi kërkesën e Fredi Belerit për të zëvendësuar masën e sigurisë "arrest me burg" me një masë më të butë sigurie. 

Ndërkohë beteja e tij ligjore do të vijojë në Gjykatën e Lartë ku avokatët e tij kërkojnë një masë më të butë sigurie. Ende nuk është caktuar se kur do të shqyrtohet kërkesa.

Më 14 qershor Gjykata Vlorës dha vendim për vërtetimin e mandatit të Fredi Belerit si kryetar i Bashkisë së Himarës. Pas këtij vendimi, i hapet rruga hapit të fundit, ceremonisë së betimit të kryebashkiakut Beleri për mandatin e ri.

Sipas ligjit të qeverisjes vendore kryetari i bashkisë bën betimin para këshillit bashkiak, por rasti i Fredi Belerit është i veçantë.  Betimi para këshillit bashkiak është detyrim ligjor dhe do të pritet si do të veprohet. Nëse detyrimi ligjor i betimit nuk realizohet brenda 6 muajsh atëherë mandati i tij shuhet.

 Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Himarës Fredi Beleri u arrestua më 12 maj në lokalin e tij, teksa ofronte para për të vlerë 8 vota në shifrën e 40 mijë lekëve. Arrestimi erdhi pas denoncimit në prokurori nga një person, i cili kishte treguar se i ishin ofruar para në këmbim të votave. Po ashtu, Beleri sipas organit të akuzës, u premtonte se do t’i përfshinte në skema për përfitimin e shtetësisë greke dhe të pensionit nga shteti grek. Ndërsa përmes bashkëpunëtorëve të tij dyshohet se paguante shuma nga 50 deri në 200 euro për një votë në favor të tij. Pavarësisht hetimeve të nisur ndaj tij, Fredi Beleri mori Bashkinë e Himarës me 19 vota më tepër, përballë kandidatit socialist Jorgo Goro.

Ora 20:11
GJKKO rrëzoi kërkesën e Belerit për lirimin nga burgu, reagon Greqia: Pengon betimin e tij si kryebashkiak i Himarës

1666609776_107706.jpg

Ministria e Jashtme e Greqisë ka reaguar për refuzimin e GJKKO-së për të liruar nga qelia kandidatin fitues të zgjedhjeve të 14 majit për bashkinë e Himarës.

Në reagimin zyrtar, ministria shkruan se ky vendim pengon betimin e Belerit si kryebashkiak i Himarës. Më tej thuhet se po ndiqen me vëmendje zhvillimet lidhur me çështjen e Fredi Belerit.

“Refuzimi i sotëm i kërkesës së z. Beleris për lirim nga burgu, për të marrë detyrën si kryetar i ri i Bashkisë Himarë, pengon drejtpërdrejt betimin e tij dhe shkakton reflektim të thellë për qëllimet reale që qëndrojnë pas ndjekjes së tij. Ministria e Jashtme po ndjek me vëmendje zhvillimet dhe pret respektimin e prezumimit të pafajësisë, element themelor i shtetit ligjor – nga shteti fqinj”- thuhet në reagim.

S.G/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?