Himara drejt zgjedhjeve, KQZ shqyrton mandatin e Fredi Belerit të enjten, pas vakancës Begaj shpall zgjedhjet

2 Korrik, 12:16| Përditesimi: 3 Korrik, 22:06

  • Share

HIMARË-‘Odiseja’ e Bashkisë së Himarës që nisi prej 12 majit të 2023 kur u prangos teksa blinte vota Fredi Beleri duket se brenda gushtit do të marrë fund.

Pasi Apeli i GJKKO e shpalli fajtor kreybashkiakun e zgjedhur me vendim të formës së prerë, duke e dënuar me 2 vite burg për blerje votash, KQZ do të shqyrtojë të enjten mandatin e tij.

Data e seancës: 04.07.2024, ora 11:00 
Rendi i ditës:
Projektvendim “Për shqyrtimin e vlefshmërisë së mandatit të Kryetarit të Bashkisë Himarë, z. Dhionisios (Alfred) Petro Beleri, i propozuar nga subjekti zgjedhor Koalicioni “Bashkë Fitojmë”, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023”.


Kjo lëvizje e KQZ vjen pak ditë pasi kreu i FRESH në Himarë i dërgoi një letër kryekomisionerit Ilirjan Celibashi që të kërkoi shpalljen e pavlefshmërisë së mandatit të Kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri si dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme. 

Ajo që pritet është shpallja e vakancës në bashkinë e Himarës, gjë që do të detyrojë Presidentin e Republikës Bajram Begaj të shpallë datën e re të zgjedhjeve. Kreu i shtetit sipas Kodit Zgjedhor menjëherë pas njoftimit duhet të shpallë zgjedhjet e parakohshme jo më parë se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga shpallja e vakancës. 

Fredi Beleri u arrestua në flagrancë teksa bënte pazare për votat vetëm 2 ditë para zgjedhjeve vendore të 14 majit të 2023. 
Ai I fitoi zgjedhjet nga burgu me një diferencë të lehtë votash, më pak se 20 vota, por për shkak të arrestit nuk mundi të ulej asnjë ditë në karrigen e kryebashkiakut dhe as të bënte betimin.

Mandatin vijoi ta mbante kryebashkiaku në detyrë Jorgo Goro deri më 23 mars, kur po ashtu u arrestua me urdhër të SPAK pas një kallëzimi që Fredi Beleri kishte bërë për të për pronat në Himarë. Më pas detyrën e drejtimit të bashkisë e mori përkohësisht Blerina Bala ndërsa aktualisht Himara drejtohet nga nënkryetari i Bashkisë Arqile Bollano

S.G/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?